Kryetari i Tribunalit të Hagës: I papranueshëm angazhimi i Llazareviq si ligjërues në Akademi ushtarake

  • 01 November 2017 - 15:12
Kryetari i Tribunalit të Hagës: I papranueshëm angazhimi i Llazareviq si ligjërues në Akademi ushtarake

Kryetari i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Carmel Agius, në prag të përfundimit të misionit të këtij institucioni, po qëndron sot në Beograd dhe me këtë rast ai është pritur nga presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq.

Bëhet e ditur se ai ka kritikuar Serbinë për mosdorëzimin e dy të anëtarëve të Partisë Radikale Serbe të kërkuar nga Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavinë. Po ashtu ai e quajti të papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare angazhimin e gjeneralit Vlladimir Llazareviq, të dënuar për krime lufte në Kosovë, për të ligjëruar në Akademinë Ushtarake të Beogradit.

Mediat raportojnë se Vuçiq i ka kërkuar atij kthimin e dokumentacionit që Serbia ia ka dërguar Tribunalit.

Gjenerali serb i dalë në pension, Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burg, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, në Serbi ishte vendosur që ai t’i bartë përvojat e tij të luftës te kadetët që shkollohen në Akademinë Ushtarake në Serbi.

 Për këtë vendim ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e Federica Mogherinit, shefes për Politikë të Jashtme të BE-së. Në një prononcim për media kishin thënë se presin që  udhëheqësit politikë të nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot)