Kelmendi: Sistemi i drejtësisë u degradua

  • 01 November 2017 - 15:35
Kelmendi: Sistemi i drejtësisë u degradua

Analisti Naim Kelmendi thotë se nga paslufta e deri më sot zyrtarët e inkriminuar e kanë degraduar shumë keq sistemin e drejtësisë, derisa siç tha janë të njohur ata që kanë pasur edhe procese gjyqësore dhe kanë abuzuar me ligjin, e që me këta gjyqtarë e prokurorë nuk ecën gjyqësia përpara dhe as reformimi i saj. Sipas tij, kjo është edhe ana e errët e kësaj gjyqësie dhe drejtësisë përgjithësisht të ndikuar nga mafia dhe krimi politik, por që ka edhe mjaft të inkriminuar brendapërbrenda gjyqësorit, që paraqesin një pengesë të madhe për zhvillimin dhe reformimin tij. "Dihet se pas luftës në këto institucione janë vënë prokurorë e gjyqtarë edhe të ishsistemit të kaluar, duke zënë vendet në këto institucione të drejtësisë, andaj pikërisht ata që deri dje para luftës kanë dënuar e gjykuar me ligjet e ish- sistemit diktatorial dhe tash dënojnë sërish me ligjet e sotme demokratike, por me mendësinë e vjetër të tyre", potencoi ai. "Pra, kështu me gjyqtarë dhe gjyqësi të korruptuar e të inkriminuar në afera korruptive dhe të tjera drejtësia në Kosovë është në një stad të keq të zhvillimit dhe të gjendjes së saj, e larg standardeve evropiane. Prandaj, ky është treguesi më i mirë se këto institucione duhet pastruar nga këta njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar për të pasur një gjyqësi të pastër, të lirë dhe demokratike, në mënyrë që të plotë- sohet edhe ky standard i kërkuar sa herë edhe nga BE-ja, duke qenë në luftë të pakompromis me krimin e organizuar dhe korrupsionin e përmasave galopante, që po e ha si kancer shoqërinë dhe zhvillimin e saj demokratik!", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)