Shemsi Syla tërhiqet nga verifikimi i veteranëve / Epoka e UÇK-së po degradohet

  • 28 July 2015 - 16:05
Shemsi Syla tërhiqet nga verifikimi i veteranëve / Epoka e UÇK-së po degradohet

Shemsi Syla ish - zëvendëskomandant i Zonës Operative të Karadakut, ka njoftuar se është tërhequr nga procesi i verifikimi të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi thotë se është i pakënaqur me zhagitjen dhe defromimin e këtij procesi.

Njoftimi i Sylës:

I pakënaqur me procesin e verifikimit të veteranëve tëUÇK-së, neglizhimin, zhagitjen, deformimin e tij, njoftoj se tërhiqem nga procesi i verifikimit, si anëtar i komisionit të ZOK

Arsyeja pse po deklarohem publikisht për këtë vendim është sepse, në dy televizionet tona publike, (Tv Klan Kosova dhe Kohavision), pas publikimit të listave fillestare kam premtuar se do t’i permirsojmë të gjitha gabimet dhe se do të bëjmë verifikim të drejtë e nuk do t’i hyhet në hak askujt. Edhepse nuk jam pajtuar me daljen e atyre listave, atëherë kam marrë përgjegjësi, jo vetëm si anëtar i komisionit, por mbi të gjitha edhe si organizator dhe drejtues i luftës, në pozitën e ish-zëvendëskomandantit të Zonës Operative të Karadakut. Por, duke e parë të pamundur realizimin e këtij premtimi, detyrohem që tani e tutje tëmos jem më pjesë e këtij procesi. Unë përkrah ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së,edhe pse dihet se ky ligj ka mangësi, paqartësi e edhe lëshime e gabime,por kemi shpresuar se me angazhim ato do të tejkalohen e korrigjohen me akte nënligjore, gjë që nuk ka ndodhur.
Këtë proces nuk e rrezikon vetëm ligji i paqartë, por edhe qasja joadekuate në mënyrën e verifikimit nga ana e atyre që kanë pasur për obligim ta bëjnë një gjë të tillë. Tani jemi në muajin e pestë pas publikimit të listave dhe ende nuk është bërë verifikimi i plotë i listave dhe, të paktën për Zonën e Karadakut, nuk është shqyrtuar asnjë ankesë, kurse komisioni ka filluar të shpërndajë certifikata që i konsideron të verifikuara.
Kam besuar se epoka e UÇK-së do të vlerësohet, do të çmohet dhe ruhet si vlera më e madhe e historisë sonë më të re, porkjo nuk po ndodh. Ajo po degradohet përfundimisht me këtë proces. Meqë po e konsideroj veten të pafuqishëm që të ndikoj pozitivisht, së paku s’dua t’ia lejoj vetes të jem pjesë e këtij procesi të degradimit që po i bëhet ushtarit të UÇK–së. Në vend të vlerësimit të vlerave të vërteta të UÇK-së ky proces po përdoret për përfitime politike, familjare e klanore, madje edhe për të rehabilituar persona me të kaluar të dyshimtë e të pamerituar duke e shfrytëzuar këtë moment historik për t’i barazuar ata me ushtarët e vërtetë të UÇK-së.
Duke qenë kjo një nga çështjet më të ndjeshme të jetës sime, unë kam vendosur që përderisa të vazhdojë kjo mënyrë e vlerësimit, të mos e konsideroj veten pjesë e asnjë liste të këtij kategorizimi të ushtarëve të UÇK-së.
SHEMSI SYLA ish - zëvendëskomandant i Zonës Operative të Karadakut

(Kosova Sot)