Ky është Surinami – shteti që i ‘tërhoqi’ njohjen Kosovës

  • 01 November 2017 - 18:37
Ky është Surinami – shteti që i ‘tërhoqi’ njohjen Kosovës

Shteti i Surinamit u bë i njohur për kosovarët vetëm pasi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se ky shtet e kishte tërhequr njohjen Kosovës. Vendim i rëndësishëm, e kishte quajtur Beogradi, e brenda 24 orëve Surinami u bë i rëndësishëm për Kosovën. Por, kush është ky shtet dhe pse mes 114 shteteve që njohën pavarësinë e Kosovës, ky do të dilte ta tërhiqte njohjen e bërë në korrik të 2016’ës. 

Republika e Surinamit shtrihet në bregun veriperëndimor të Oqeanit Atlantik dhe është shteti më i vogël i Amerikës Jugore me sipërfaqe prej vetëm 165.000 kilometrave katrorë dhe me kryeqytet Paramaribon.

Me vetëm mbi gjysmë milioni banorë, Surinami përfaqëson kultura të ndryshme me disa gjuhë e disa fe. Gjysma e banorëve i takojnë fesë krishtere, ndërsa shumica e tyre flasin gjuhën holandeze.

Surinami ishte shteti i vetëm i kolonizuar nga Holanda dhe deri në vitin 1975 kur shpalli pavarësinë ishte pjesë e Mbretërisë së Holandës. Edhe pas ndarjes, Surinami mbajti lidhje ekonomike, kulturore dhe diplomatike me kolonizatorin e tij.

Që atëherë, gjuha holandeze është gjuhë zyrtare në qeveri, shkolla dhe në mediat e shtetit amerikano-jugor.

Surinami është ndër shtetet më të diversikuara kulturalisht. Në të shumica e banorëve flasin gjuhën holandeze, ndërsa ka edhe fise indiane të cilët zhvillojnë jetën e tyre tradicionale në fshatra.

Surinami udhëhiqet nga Desi Bouterse, i cili ishte komandant ushtarak dhe tani ka mandatin e dytë pesëvjeçar si president.

Ai kishte udhëhequr ish-koloninë holandeze edhe më parë si rezultat i dy puceve ushtarake, fillimisht në periudhën 1980-1987, e më pas në vitin 1990.

Në vitin 1999, presidentit të tanishëm iu shqiptua dënimi prej 11 vjetësh për shkak të kontrabandimit të 400 kilogramëve kokainë. Për të kishte edhe akuza për vrasjet gjatë puçit në vitin 1980.

Në Prill të vitit 2012, Parlamenti i Surinamit kaloi një ligj kontrovers, që amnistoi Boutersen dhe i dha atij imunitet nga akuzat për dhunën e ushtrisë nën udhëheqjen e tij, për çfarë ai do të gjykohej.

Lidhur me politikën dhe diplomacinë e Surinamit, çfarë edhe u intereson kosovarëve që së fundmi u përfol për tërheqjen e njohjes së Kosovës, shteti amerikan-jugor ka pasur gjithmonë raporte speciale me Holandën.

Republika e Surinamit gjithashtu ka raporte të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa është shteti i vetëm ku superfuqia tjetër botërore, Rusia, nuk ka ambasadë të vetën.

Por, siç duket qeveria e tijj ka vendosur të ndryshojë anë. Kryediplomatja e Surinamit dje për herë të parë ka zhvilluar vizitë në Moskë, vendin mik të Serbisë.

Pikërisht në ditën kur po zhvillohej vizita që ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov e quajti historike, Ivica Daçiq doli me lajmin se Kosovës iu hoq një njohje.

Njohjen që po pretendohet se u hoq, Kosova e kishte siguruar në korrik të vitit 2016 nga Surinami, ndërsa autoritetet e këtij shteti akoma nuk kanë bërë të ditur nëse vërtet janë penduar për njohjen e Kosovës. 

(Kosova Sot)