< Dyvjeçarja fiton betejën kundër kancerit të rëndë - Lajme - Kosova Sot
Dyvjeēarja fiton betejėn kundėr kancerit tė rėndė

Dyvjeēarja fiton betejėn kundėr kancerit tė rėndė

Vogëlushja dyvjeçare Zea Lane kishte vetëm 3 muaj kur filloi betejën e saj kundër kancerit. Sëmundja e rëndë ia kishte pamundësuar asaj zhvillimin normal, e kishte paralizuar shokë e teposhtë, prandaj mjekët thoshin se ajo kurrë nuk do të mund të ecte. Me kalimin e kohës, Zea është duke kuptuar se është ndryshe. Kur në një rast mbathi këpucët e baletit, vajza e vogël që pëlqen të lëvizë në ritmin e muzikës, kishte shikuar të ëmën dhe i kishte thënë: "Këmbët e mia janë të thyera, nënë". Por, Zea, me ndihmën e familjes së saj, mjekëve dhe shumë fizioterapeutëve, ia ka dalë që të mbijetojë. Problemet e Zéas kishin filluar me temperaturë të lartë, deri në 41 shkallë celsius. Mjekët ia bënë të gjitha analizat e mundshme. Rezonanca magnetike vuri në pah të vërtetën, të cilën prindërit e saj as që kishin guximin ta merrnin me mend. "Ajo ishte e mbuluar nga kanceri", thotë e ëma e saj, Heather Lane. "Vatra primare e kancerit ishte në kurriz dhe, nga aty, ai ishte përhapur në mëlçi, mushkëri, veshka, palcë të eshtrave, bile edhe në kafkë. Asaj i kishte munguar vetëm pak që të vdiste".

Image

Ilaçet, që përdoren për kimioterapi, kanë efekte të shumta të padëshirueshme Prindërit e vogëlushes kurrë nuk kishin dëgjuar për neuroblastomën, një formë të rrallë të kancerit, i cili haset kryesisht te fëmijët tepër të vegjël. Në SHBA çdo vit shënohen 700 raste të reja me këtë sëmundje, duke përbërë kështu 6% të të gjitha kancereve kryesore. Prindërve iu duhej që të vendosnin a ta operonin vajzën, apo ta fillonin trajtimin me kimioterapi. Neurokirurgu dhe onkologu nuk pajtoheshin, prandaj çështja iu la prindërve që të vendosnin. Ata u përcaktuan për operim. Pas operacionit, Zea u paralizua shokë e teposhtë. Ajo filloi edhe terapinë me ilaçe. Kurrgjë nuk ishte operacioni, sado i rëndë që ishte, krahasuar me efektin e tmerrshëm të kimioterapisë. Ilaçet që përdoren për kimioterapi kanë efekte të shumta të padëshirueshme. Sa e luftojnë kancerin, po aq e dëmtojnë edhe organizmin. Imuniteti i vajzës në shumë raste ishte dobësuar aq shumë, sa që ajo kishte nevojë për transfuzion të gjakut. Pasi Zéa mbaroi tetë cikle të kimioterapisë, mjekët e saj në Majami donin t'ia bënin edhe katër të tjerë. I kishte mbetur edhe një copë e vogël e tumorit, e cila nuk mund të hiqej me operacion. Por, prindërit e vajzës vendosën që ta kërkonin një mendim të dytë, ku onkologu Dr. Shakeel Modak, i specializuar për neuroblastomë, iu tha që të prisnin, pa ndonjë protokoll tjetër të trajtimit, derisa të paraqitej ndonjë ndryshim. Për shkaqe të cilat janë të pakuptueshme për mjekët, kur neuroblastoma paraqitet te fëmijët tepër të vegjël, në disa raste ajo vetvetiu tkurret dhe zhduket. Në rastin e Zeas, kjo ndodhi pas kimioterapisë. Pjesa e mbetur e kancerit është parë se nuk është më aktive, për më tepër, ajo ka filluar që të tkurret. Por, për të mos rrezikuar asgjë, mjekët janë duke e përcjellë gjendjen e saj me kujdes.

Zea do të vazhdojë që të përmirësohet

 Pasi kishte mbaruar kimioterapinë, vajza kishte lëvizur gishtin e njërës këmbë, gjë që për prindërit ishte lajm tepër i mirë, meqë vajza konsiderohej e paralizuar shokë e teposhtë. Por, doli se paraliza nuk ishte e përhershme, sikur që kishin pasur frikë ata. Për këtë shkak, mjekët vendosën që Zea t'i nënshtrohej një tretmani rehabilitues, që të mësohej se si të ecte. Në fillim ushtrimet filluan në ujë, meqë lëvizjet aty janë më të lehta dhe rreziku nga rrëzimi është më i vogël. Zéa filloi që të mësohej të ecte në ujë, duke forcuar gradualisht muskujt e saj. Tani edhe prindërit e Zea-s e ushtrojnë atë që të ecë në shtëpi, me anë të mbajtëses. Mjekët e saj, terapeutët dhe prindërit, që të gjithë besojnë se Zea do të vazhdojë që të përmirësohet dhe të lëvizë në një mënyrë më të pavarur. Ajo ka gjasa që të mësojë edhe të notojë. Ky përparim ka qenë i mundur edhe falë shpirtit të paepur të vogëlushes, e cila gjatë jetës së saj të deritashme u ballafaqua me peripeci të shumta. Ajo, thjesht, nuk dorëzohet!

(Kosova Sot)

4 orë e 5 minuta më parë