Firma japoneze i shpërblen punonjësit që s'pinë duhan me gjashtë ditë më shumë pushim

  • 01 November 2017 - 20:23
Firma japoneze i shpërblen punonjësit që s'pinë duhan me gjashtë ditë më shumë pushim

Një kompani në Japoni, ka gjetur një mënyrë shumë të veçantë që të motivojë punonjësit e saj për ta lënë duhanin.

Pial Inc., një organizatë me bazë në Tokio, ua ka dhënë nga gjashtë ditë më shumë pushim në vit, punonjësve të saj jo duhanpirës.

Kjo politikë e kompanisë ka nisur në shtator, për të kompensuar kohën e punonjësve që nuk pinë duhan – me të atyre që secila cigare ua merr rreth 15 minuta nga dita e punës së tyre.

“Njëri nga punonjësit që nuk pinë duhan e la një mesazh në kutinë e sugjerimit të kompanisë duke thënë se pushimet e pirjes së duhanit po shkaktonin problem”, tha zëdhënësi i kompanisë Hirotaka Matsushima për The Telegraph.

“Drejtori i Përgjithshëm e pa mesazhin dhe u pajtua – tha po u japim pushim shtesë atyre që nuk e pinë duhanin për ta kompensuar kohën”.

Zyra qendrore e kompanisë është në katin e 29-të të një blloku në rrethin Ebisu të Tokios. Çdokush që dëshironte një cigare duhej të shkonte në bodrum – që nënkupton se i duheshin rreth 15 minuta kohë.

Të paktën 30 prej 120 punonjësve të kompanisë tashmë e kanë marrë pushimin shtesë nga ndryshimet që janë bërë, transmeton Klan Kosova.

“Unë shpresoj që të inkurajojmë punonjësit që të lënë duhanin përmes inkurajimeve sesa dënimeve”, tha Takao Asuka, Drejtori i Kompanisë së Piala Inc.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se 18.2 për qind e të rriturve japonezë konsumojnë duhan.

(Kosova Sot)