Pacolli akuzohet se po godet njohjet

  • 02 November 2017 - 07:48
Pacolli akuzohet se po godet njohjet

Analistët politikë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë hapat e parë të diplomacisë së Kosovës, pas krijimit të Qeverisë së re, e sidomos angazhimin e ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, si një segment tërësisht të dështuar, madje që në fillim të "diplomacisë" së tij, ku vendi po e merr goditjen e parë tash edhe nga Surinami, që tërhoqi njohjen ndaj Kosovës. Para disa vjetësh, derisa ishte koalicioni PDK AKR dhe minoritetet, Pacolli merrte vazhdimisht meritat për njohjet që vinin nga vende fare pak të njohura, mirëpo ai tani po i mbyll sytë dhe nuk dëshiron ta pranojë si punë të kryer e ta marrë përgjegjësinë edhe për tërheqjen e kësaj njohjeje. Vlerësuar nga njohësit e rrethanave politike në vend, thuhet se Kosova ndodhet në udhëkryq me diplomacinë e saj kurrfare, ku posti i ministrit i është dhënë një njeriu fare të paditur, që nuk merr vesh fare në diplomaci. Aq me tepër kjo situatë bëhet më alarmante, kur del hapur edhe kryetari i Partisë Liberale Demokratike serbe Çedomir Jovanoviq, i cili thotë se Rusia, përmes Serbisë, po e do destabilizon Ballkanin duke e goditur Kosovën. Mbi këtë bazë rezulton se ishte pikërisht Rusia ajo që ndikoi edhe në tërheqjen e njohjes nga Surinami dhe me një ministër të Jashtëm prorus, siç është Pacolli, vetëm sa po rrezikojmë të vazhdojmë të humbim edhe njohje të tjera nga ato që kemi, duke pasur një diplomaci krejtësisht joserioze dhe jofunksionale. Si rrjedhojë, Kosova, aktualisht, ndodhet në poz itën më të izoluar, që nga pavarësia e saj e deri më sot. Në pyetjet e gazetarit, ministri i Jashtëm Pacolli nuk është përgjigjur.

Image

 

A ju kujtohet kur Pacolli tha se Kosova nuk mundet pa Serbinë?

Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi dhe njohës i afërt i rrethanave politike në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, thekson se dështimi i diplomacisë kosovare zanafillën e vet e ka shumë më herët, duke mos qenë asnjëherë në nivel të detyrës, por kulmi ka arritur tani kur për kryediplomat kemi Pacollin. "Ka kohë që Kosova është izoluar në raport me BE-në , me shtetet aziatike, ato afrikane dhe amerikane. Kemi kështu një gjendje shumë të rëndë dhe shume delikate, e cila me elementet e tashëm që punojnë dhe angazhohen në Ministrinë e Jashtme të Kosovës nuk mund të marrë rrugën pozitive dhe të fillohet me debllokimin e vendit tonë", u shpreh ai. "Heqja apo mosheqja e njohjes nga një shtet, i madh a i vogël, është një lajm i keq për pozitën e Kosovës. Natyrisht se gabime ka shumë. Kjo ka filluar para dy mandateve, kur ishte Skënder Hyseni ministër, ka vazhduar me Enver Hoxhajn dhe tash iu dha një grusht i rëndë me Behgjet Pacollin dhe Pacollat e tjerë, që u vendosën në këtë ministri, ku në fakt është dhe duhet krejtësisht një kuadër tjetër. Tash po shihet se çfarë diplomati është Pacolli. Ai nuk ka asnjë njohuri me idetë dhe punën diplomatike. Pacolli nuk i njeh konventat dhe natyrën e tyre, nuk njeh marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale. Ai nuk ka njohuri me paktet dhe me shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Thjesht, është një njeri shumë i paaftë dhe kontradiktor", potencoi Kelmendi. Ai shprehet se Pacolli duhet patjetër të tregojë se cilat janë marrëveshjet që i ka ai me shtetin rus. "Çfarë raportesh ka me Moskën dhe ku qëndron ai sa i përket pavarësisë së Kosovës? Mua fare mirë më kujtohet ajo thënia e tij: " Kosovo ne moze bez Serbie", shqip do të thotë , "Kosova nuk mundet pa Serbinë. Këto gjera kërkojnë sqarime. I takon z. Pacolli të sqarohet. Po kështu dhe këndej, nuk po shohim asnjë njohje të re. Ofensiva serbe dhe ruse është intensifikuar. Kosova po fle. Kemi një izolim të ashpër. Nuk ka asnjë vizitë të ministrit në asnjë vend. Ato që u bënë në Maqedoni dhe në Turqi ishin vizita rutinore", vijoi Kelmendi. Sipas tij, me këtë diplomaci të çoroditur është fare e kuptueshme që Kosova akoma mund të humbë edhe njohje të tjera dhe të rrezikojë mbështetjen ndërkombëtare. " Shembull është Tajvani. Ai ka pasur njohje shumë dhe janë tërhequr. Kjo mund të ndodhë edhe në Kosovë", ka thënë ai.

Image

 

Gjykata vulosi legjitimitetin e Republikës, politika e zbehu

Po aq joserioze dhe të dështuar e sheh sjelljen e diplomacisë kosovare dhe kryediplomatit Pacolli, sidomos karshi zhvillimeve të fundit, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Albinot Maloku. "Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës paska dalë me një njoftim se ajo "deri më tash nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me raportimet se kinse Republika e Surinamit ka "tërhequr njohjen" ndaj Republikës së Kosovës". Tutje, MPJ paska kallëzuar se Serbia po bën "përpjekje të fuqishme e me qëllime malinje" përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Ore ju nga MPJ-ja, askush nuk është duke ju pyetur se çfarë qëllimesh e çfarë përpjekje është duke bërë Serbia kundër shtetit të Kosovës, por çfarë përpjekjesh bëtë ju prej 22 korrikut të vitit 2010, që t'i jepni hakun legjitimitetit të vulosur të Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë? Çfarë bëtë, veçse e sollët situatën të diskutohet nëse ndonjë shtet mund të "tërheqë njohjen" e shtetit të Kosovës? Po, ishte në agjendë 'normalizimi i marrëdhënieve' me Serbinë, e cila po bën "përpjekje të fuqishme e me qëllime malinje" kundër shtetit të Kosovës", shprehet Maloku. Fatura e humbjeve në diplomacinë e pakonsoliduar kosovare do të jetë akoma më e madhe në ditët në vijim, pikërisht për shkak të papjekurisë politike të Pacollit, edhe sipas vlerësimit që jep analisti Jeton Kelmendi. "Kjo Qeveri në përgjithësi është tragjike për vendin, sepse krerët e kësaj Qeverie, deri tek zëvendësit e shumtë, janë jokredibilë", ka thënë ai.

Image

 

Diplomacia kosovare veç në letër

Po aq poshtë e sheh nivelin e detyrës në diplomacinë kosovare edhe politologu Gurakuç Kuçi, sipas të cilit Kosova nuk ka fare diplomaci, sepse ajo vetëm në letër funksionon figurativisht. "Diplomacia e Kosovës është veç emër dhe shtëpi e punësimit të militantëve, dhe ata që vlejnë aty janë shumë pak, që madje as nuk i lënë të punojnë. Andaj, edhe shtetet serioze jo rastë- sisht ia hulumtojnë njëra- tjetrës aftësitë diplomatike. Këtu Kosova është një dështim", u shpreh ai. "Diplomacia e keqe nuk fillon me z. Pacolli, por vazhdon me të për të arritur minuse edhe më të mëdha. Sa seriozisht merret diplomacia dhe z. Pacolli u tregua edhe gjatë vizitës së tij në Mal të Zi. Andaj, edhe Serbia, sa i përket Kosovës, i ka duart e lira të hedhë hi syve ndaj të gjithëve dhe të bashkëpunojë me BE-në në dëm të Kosovës e bashkë me Rusinë të ruajnë balanca gjeostrategjike prapë në dëm të Kosovës. Jo rastësisht edhe u lajmërua përfshirja direkt e SHBA-së në dialogun e Kosovës me Serbinë", shtoi më tutje Kuçi. Sipas tij, te njohjet esenca është tek materializimi i tyre dhe jo tek numri. "Ka vende në botë që kanë njohje më pak se Kosova, por janë më të fuqishme dhe madje edhe janë anëtare të OKB-së dhe organizatave të tjera", tha politologu Gurakuç Kuçi.

Kulminacioni i dështimit të MPJ-së

Kulmi i dështimit në diplomacinë e re kosovare mbetet figura e Behgjet Pacollit edhe sipas analistit Arsim Haziri. "Natyrisht se faji për tërheqjen e njohjes i faturohet Qeverisë, përkatësisht ministrit të Jashtëm të saj, z.Pacolli. Kosova në rrafshin ndërkombëtar vetëm në nivelin e dobët të përfaqësimit mund t'i bëjë konkurrencë shteteve të tjera jo edhe në aspektin e përfaqësimit dinjitoz, siç është rasti me ministrin e tanishëm. Tashmë barrën thelbësore për këtë dështim e merr qeverisja 'Haradinaj', ngase nuk ka qenë vigjilente dhe e përkushtuar që qytetarëve dhe shtetit t'u ofrojnë përfaqësim e zhvillim ekonomik dhe social", theksoi ai për "Kosova Sot". Edhe analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi ka vlerësuar se faji për tërheqjen e njohjes i faturohet Qeverisë, përkatësisht ministrit të Jashtëm të saj. "Imazhi i Kosovës gjithnjë e më shumë po dëmtohet nga njerëzit jokredibilë, të cilët u emëruan në krye te politikës së jashtme dhe në krye të ambasadave tona në botë. Patëm diplomatë të dobët, si Enver Hoxhajn e një kohë Hashim Thaçin, të dy këta të cilët jo vetëm që nuk u treguan të zotët, por i mbushen ambasadat me militantë partiakë, të cilët nuk i përfaqësuan si duhet interesat e Kosovës në botë. Madje, na ndodhën disa incidente të turpshme në ambasadat tona", u shpreh ai. Edhe në vlerësimin e analistit Ali Hertica, emërimi dhe angazhimi i Pacollit në këtë ministri është kulmi i të gjitha dështimeve, sepse nuk ka qëllim dhe mision tjetër veç instalimit të klientelës së ngushtë. "Diplomacia jonë ishte partiake, individuale e pakoordinuar, ndonjëherë ministrat e MPJ-së e luanin rolin e 'supermenëve', duke udhëtuar nëpër botë me aeroplanë. Tani, ka ndodhur që një ministër ka shkuar nëpër vende edhe më të largë- ta të globit për të 'lobuar' për njohje të reja dhe nga ana tjetër po del se disa nga ato kanë filluar të tërheqin njohjen, prej nga Pacolli merrte merita për njohjen nga Surinami", theksoi ai

Image

 

Pavarësia nuk kthehet mbrapsht

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga Qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë "tërheqje të njohjes", është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vendet e caktuara, që tashmë e kanë njohur? Në këtë pyetje, me shkrim është përgjigjur për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. "Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm. Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët", ka thënë ambasadori Delawie. Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se "tërheqja e njohjes" së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit. Të martën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediet në Beograd se Qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se "e ka tërhequr njohjen" e pavarësisë së Kosovës. Ai madje medieve u ka prezantuar një dokument, me të cilin, sipas Daçiqit, Republika e Surinamit e njofton Ministrinë e Jashtme të Serbisë, por edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, se e "ka tërhequr njohjen për Kosovën". Një dokument i tillë eventual, në adresën e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur. Deri më tash, Qeveria e Surinamit nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike, për të sqaruar nëse ka tërhequr ose jo njohjen për Kosovën.

(Kosova Sot)