Krimi me lejet e ndërtimit zhyti klanin Ahmeti&CO

  • 02 November 2017 - 08:01
Krimi me lejet e ndërtimit zhyti klanin Ahmeti&CO

Raporti i fundit i Bankës Botërore, në të cilin Kosova radhitet e 122- ta për dhënien e lejeve për ndërtim, e riaktualizon skandalin, sidomos në kryeqytet, si komuna më e madhe në Kosovë, ku abuzohet nga pushteti. Analistët dyshojnë se kapo i të gjithë kryetarëve të komunave që përfitoi më së shumti nga shitja e lejeve ndërtimore dhe jo vetëm është pikërisht Shpend Ahmeti nga VV-ja. Specialistët vlerësojnë se në të gjitha këto raste bëhet fjalë për një krim të organizuar që merret me shitjen e lejeve ndërtimore, pikërisht njëra prej arsyeve më të mëdha që po demotivon plot investitorë të mëdhenj, që mund të investojnë miliona, hapin mijëra vende të reja pune dhe të ndikojnë kështu në rritjen ekonomike dhe mirëqenien e kryeqytetasve. Sipas analistëve, kryetari në largim Shpend Ahmeti, që kandidon për një mandat të dytë, ka dyshime të forta se është i përfshirë në afera korruptive dhe krim të organizuar me lidhjet e tij me mafiobizneset kriminale dhe ky është ilustrimi më i mirë i këtij rangimi të dobët në dhënien e lejeve të ndërtimit e zhvillimit në Prishtinë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të krerëve të komunës së Prishtinës lidhur me rangimin për lejet e ndërtimit, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.

Image

 

Komuna e bllokadave

Këshilltari i komunës së Prishtinës, Agim Gashi (LDK), tha për "Kosova Sot" se performanca e një qeverie komunale matet me shkallën e rritjes së buxhetit dhe mënyrën e shpenzimit të tij. "Pra, një qeveri dhe një kryetar komune vlerësohen me performancë të lartë veten nëse prej vitit në vit arrijnë të rrisin të hyrat vetanake dhe realizojnë planin buxhetor me sa më pak lëshime të mundshme. Kjo për katër vite nuk ka ndodhur në komunën e Prishtinës, sepse Shpend Ahmeti dhe Qeveria që ai drejton nuk arriti të rrisë të hyrat vetanake për asnjë cent dhe me rastin e shpenzimeve mori shumë rekomandime nga auditori, të cilat, shumicën prej tyre, nuk arriti fare t'i adresojë në mënyrë që të evitojë lëshimet e çfarëdo natyre qofshin ato", potencoi ai. "Kjo tregon se ky kryetar dhe kjo qeveri asnjëherë nuk arriti të planifikojë punët në përputhje me kërkesat e qytetarëve të Prishtinës, nuk bashkëpunojë me shumicën e ndërmarrjeve komunale, të bllokojë industrinë e ndërtimit dhe me këtë e futi Trafikun Urban dhjetë milionë kredi borxh dhe e pengoi formimin e Prishtina-parkingut, ndërmarrje të cilën e kishte premtuar në fushatën e vitit 2013", vijoi më tej Gashi. "Jo vetëm këto veprime degraduese qeverisëse, por edhe shumë të tjera në fushën e infrastrukturës, urbanizmit, kadastrës, arsimit dhe kulturës, kanë bërë që ky person të dëmtojë shumë interesat e qytetarëve të komunës së Prishtinës, mu për faktin se ai dëmtoi ekonominë e komunës, dëmtoi cilësinë në arsim. kulturë dhe sport, instaloi ideologjinë ekstreme majtiste në kulturën qeverisëse, partizoi skajshmërisht administratën e komunës, duke punë- suar militantë të VV-së nga të katër anët e Kosovës", theksoi Agim Gashi.

Image

 

Të mbrohemi nga zhvatësit

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se raporti i fundit i Bankës Botërore për komunat e Kosovës është dëshmi e qartë se komunat tona po keqmenaxhohen. "Fakti se komunat e Kosovës radhiten në vendin e 122-të tregon mjaft mirë se në çfarë gjendje kaotike janë këto komuna dhe sa keqmenaxhohen dhe udhëhiqen ato", u shpreh ai."Në fakt ky raport zbardhë skandalin që po ndodh në komunat e Kosovës me lejet për ndërtim e zhvillim. Lejet e ndërtimit janë shndërruar në vatër të korrupsionit, aty ku pa dhënë mitë nuk ka leje ose pa qenë i lidhur me bandat, të cilat sponzorizojnë kryetarët e komunave. Natyrisht se vëmendje më e madhe në këtë raport i kushtohet kryeqytetit, aty ku destinohen më shumë investimet dhe rrjedhimisht janë më të mëdha mundësitë që të përfitojë kryetari i komunës", potencoi Mehmeti. Ai është i mendimit se prokuroria ka shumë arsye dhe mjaft dëshmi për të filluar procedurat e ndjekjes ndaj të gjithë zyrtarëve në komunën e Prishtinës për dhënien e lejeve pa meritë bizneseve të lidhura me pushtetarët."Nëse ka mbetur pak ndërgjegje në sistemin e drejtësisë do të duhej të fillonte hetime, edhe nëse nuk ka asnjë bazë tjetër mjafton ky raport i Bankës Botërore për të filluar hetime nga A deri në ZH", theksoi ai. "Nuk duhet lejuar që një komunë të shndërrohet në kupolë të krimit, aty ku bëhet biznesi dhe merren lejet pa meritë, aty ku krimi dhe haraçi lulë- zon në mes të kryeqytetit. Kosova duhet filluar të mbrojë vetveten nga njerëz që vijnë për të zhvatur vendin, duke përfituar milionat në kurriz të qytetarëve të ndershëm", vlerëson analisti Mehmeti.

Image

 

Largimi i kryetarit zhbllokon kryeqytetin

Ndërsa, analisti Reshat BadallajZhuriani tha për "Kosova Sot" se krimi i organizuar nga kanalet e nëntokës kriminale, ku shitën lejet ndërtimore dhe banda, në krye me mafio-oligarkun Shpend Ahmeti, u bënë sebep që Banka Botërore e futi në fund të pusit Kosovën duke e renditur atë në vendin 122-të. "Nga të gjitha komunat e Kosovës, aty ku është udhëhequr shumë mbrapsht, kryetari i të gjitha të këqijave që i vë kapak është kapo që quhet Shpend Ahmeti. Ky kapo për interesa të ngushta të tij, me paaftësinë e tij, ndikoi në rritjen e papunësisë më të madhe në Evropë, në ikjen e investitorëve të huaj, nga frika e këtij matrapazi që i bën dëme të paparashikueshme Kosovës", theksoi ai."Nuk e mendonte ky kokëshkretë se me shitjen e lejeve do të dëmtohen shumë rëndë ekonomia dhe buxheti i Kosovës, ky mendonte se si të trash xhepin e tij, të sigurojë pasuri për shumë breza dhe të bashkëpunojë me mafio-oligarkët të bandës serbiane që quhen Devolli", potencoi BadallajZhuriani. Sipas tij, pa u larguar Ahmeti nga pushteti vështirë se do të investon dikush nga jashtë që do të ndikonte në hapjen e vendeve të reja të punës, që do të zhduket papunësinë dhe do të pasurohej buxheti i Kosovës dhe njëkohësisht do të ndikonte në rritjen ekonomike të vendit. "Por, ky turist i avionëve privatë i jahteve milionëshe dhe Pub- lokaleve të natës, nuk fare nuk e vriste mendjen për këtë punë. I shkreti nuk kishte faj se ishte i paaftë dhe nuk kishte fare inteligjencë. Ishte zanati i huaj për të, por, për çudi, ishte shumë i shkathtë për t'u pasuruar për interesa personale duke blerë banesa e kush e di e çka tjetër", tha ai.

Image

 

Akuza për ryshfet dhe haraç

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, tha për "Kosova Sot" se për Qeverinë e Kosovës dhe kryetarët e të gjitha komunave duhet të jetë shumë shqetësues raporti i fundit i Bankës Botërore që edhe një herë e ka zbardhur sërish skandalin që po ndodhë në komunat e Kosovës."Vetë fakti se raporti i BB-së flet qartazi se po dyshohet me të madhe në të gjitha komunat e Kosovës po bëhet shitja e lejeve ndërtimore, kjo është një tregues i mjaftueshëm dhe shumë shqetësues se në këto raste bëhet fjalë për një krim të organizuar që merret me shitjen e lejeve ndërtimore", ka thënë ai. "Këto ryshfete dhe ky haraç i krerëve të komunave tona si ceken edhe në këtë raport janë pikërisht disa prej arsyeve më të mëdha që po i demotivon plot investitorë të mëdhenj të huaj që mund të investojnë miliona euro në Kosovë dhe kësisoj të hapen mijëra vende të reja pune dhe të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe mirëqenien e kryeqytetasve", potencoi Maloku. "Kjo vlen edhe në rastin me Komunën e Prishtinës, ku ka dyshime të mëdha se ka shumë afera korruptive dhe krim të organizuar në mes të lidhjeve të krerëve të komunës me mafio-bizneset kriminale në Prishtinë ",vlerësoi më tutje ai.

Image

 

Korrupsioni me lejet, burim financimi i partive

Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') tha për "Kosova Sot" se dominimi, zaptimi, të drejtat pakufi, këto janë kërkesat dhe interesat e partive politike. "Ndërtimi ose lejet ndërtimore janë njëri nga burimet e financimit të partive politike, ndërsa taksat, tatimet mbi objektet ndërtimore, jo rrallë janë zhvatje klasike e qytetarit konsumator taksapagues i tejngarkuar me obligime fiskale, me të cilat mbahet në pushtet kjo klasë politike e paaftë ekonomikisht", ka vlerësuar ai. "Për fat të keq, edhe sfera e ndërtimit bën pjesë në zonën e interesave të partive politike dhe të grupeve e individëve të interesit. Kështu duhet kuptuar edhe udhëheqjet komunale. Ato veprojnë, në të shumtën e rasteve, pa koordinim, pa marrëveshje, pa ndarjen e përgjegjësive, as që komunikojnë me udhëheqjen qendrore ose me qytetarin elektorat, konsumatorë e taksapagues", theksoi Kaçaniku.

(Kosova Sot)