Shfaqen anëtarët e shkarkuar të qeverisë Katalunase në gjykatë, mungon Puigdemont

  • 02 November 2017 - 10:35
Shfaqen anëtarët e shkarkuar të qeverisë Katalunase në gjykatë, mungon Puigdemont

Anëtarët e shkarkuar të qeverisë rajonale të Katalonisë, janë shfaqur në gjykatën e Spanjës për t’u përballur me akuzat për rebelim dhe kryengritje, pas referendumit të tetorit.

Nëntë zyrtarë janë paraqitur në gjykatën në Madrid për intervistim.

Megjithatë këtu mungon lideri katalunas Carles Puigdemont, i cili së bashku me katër të tjerë kanë injoruar thirrjen e kësaj gjykate.

Prokurorët mund të kërkojnë arrestimin e tyre.

Puigdemont, i cili aktualisht gjendet në Belgjikë, ka thënë që ky është një gjykim politik.

Spanja është në krizë kushtetuese që nga mbajtja e referendumit për pavarësi të Katalonisë më 1 tetor, i cili është cilësuar ilegal.

Katalonia ka shpallur pavarësinë, pas së cilës qeveria qendrore ka imponuar sundim direkt në këtë regjion.

(Kosova Sot)