Haradinaj: Duhet ndëshkuar ata që i mbyllin sytë ndaj ideve ekstremiste

  • 02 November 2017 - 12:19
Haradinaj: Duhet ndëshkuar ata që i mbyllin sytë ndaj ideve ekstremiste

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se duhet shënuar një fund i tolerancës për idetë ekstremiste që çojnë kah terrorizmi.

Haradinaj këto komente i bëri në tryezën me temën “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku theksoi se çdokush që i mbyll sytë para veprimeve që çojnë në terrorizëm, duket të ndëshkohet.

Kryeministri Haradinaj tha se është me rëndësi përmbyllja e kornizës së sigurisë, pasi Kosova ende nuk e ka përmbyllur plotësisht këtë kornizë.

Sipas tij, fuqizimi i rolit të mekanizmave të sigurisë bëhet me buxhet dhe me përkrahjen institucionale, duke avancuar kapacitetet dhe ekspertizën por edhe duke e rritur besimin në ato mekanizma.

“Kosova për të mundur me sukses me luftu një të keqe si terrorizmi, duhet fuqizimi i mandatit kushtetues dhe ligjor i institucioneve. Duhet ta shënojmë një fund të tolerancës për idetë ekstremiste që çojnë ka terrorizmi, duhet ta shënojmë një fund të flirtimeve me bartësit e ideve ekstremiste, nuk guxon dikush me i mbyll sytë dhe nëse dikush i ka mbyll sytë duhet me u ndëshku”, tha ai.

Haradinaj shtoi se duhet të jemi të vendosur që të parandalojmë përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm, duke rritur besimin në institucione.

Ai theksoi se një plan serioz i nevojitet Kosovës për t’i trajtuar ata që kanë qenë të përfshirë në aktivitete ekstremiste, në mënyrë që Kosova të jetë e sigurt dhe të mos befasohet me rreziqet që i vijnë.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka thënë se kërcënimet nga aktet terroriste vazhdojnë të jenë kërcënim për sigurinë globale.

Sipas tij, luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit kërkon bashkërendim të aktiviteteve dhe koordinim ndërinstitucional.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë duke ndërmarrë masa për t’i larguar qytetarët nga fenomeni i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Qeveria e Kosovës ka bërë ndarje prej 100 mijë dollarësh për koalicionin anti-ISIS. Kosova ende sfidohet me pengesa, Kosova ende nuk është anëtarësuar në INTERPOL. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një shteti dhe shoqërie të qëndrueshme në luftë kundër këtyre dukurive”, ka thënë ai.

(Kosova Sot)