Kelmendi: A ju kujtohet kur Pacolli tha se Kosova nuk mundet pa Serbinë?

  • 02 November 2017 - 13:12
Kelmendi: A ju kujtohet kur Pacolli tha se Kosova nuk mundet pa Serbinë?

Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi dhe njohës i afërt i rrethanave politike në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, thekson se dështimi i diplomacisë kosovare zanafillën e vet e ka shumë më herët, duke mos qenë asnjëherë në nivel të detyrës, por kulmi ka arritur tani kur për kryediplomat kemi Pacollin. "Ka kohë që Kosova është izoluar në raport me BE-në , me shtetet aziatike, ato afrikane dhe amerikane. Kemi kështu një gjendje shumë të rëndë dhe shume delikate, e cila me elementet e tashëm që punojnë dhe angazhohen në Ministrinë e Jashtme të Kosovës nuk mund të marrë rrugën pozitive dhe të fillohet me debllokimin e vendit tonë", u shpreh ai. "Heqja apo mosheqja e njohjes nga një shtet, i madh a i vogël, është një lajm i keq për pozitën e Kosovës. Natyrisht se gabime ka shumë. Kjo ka filluar para dy mandateve, kur ishte Skënder Hyseni ministër, ka vazhduar me Enver Hoxhajn dhe tash iu dha një grusht i rëndë me Behgjet Pacollin dhe Pacollat e tjerë, që u vendosën në këtë ministri, ku në fakt është dhe duhet krejtësisht një kuadër tjetër. Tash po shihet se çfarë diplomati është Pacolli. Ai nuk ka asnjë njohuri me idetë dhe punën diplomatike. Pacolli nuk i njeh konventat dhe natyrën e tyre, nuk njeh marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale. Ai nuk ka njohuri me paktet dhe me shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Thjesht, është një njeri shumë i paaftë dhe kontradiktor", potencoi Kelmendi. Ai shprehet se Pacolli duhet patjetër të tregojë se cilat janë marrëveshjet që i ka ai me shtetin rus. "Çfarë raportesh ka me Moskën dhe ku qëndron ai sa i përket pavarësisë së Kosovës? Mua fare mirë më kujtohet ajo thënia e tij: " Kosovo ne moze bez Serbie", shqip do të thotë , "Kosova nuk mundet pa Serbinë. Këto gjera kërkojnë sqarime. I takon z. Pacolli të sqarohet. Po kështu dhe këndej, nuk po shohim asnjë njohje të re. Ofensiva serbe dhe ruse është intensifikuar. Kosova po fle. Kemi një izolim të ashpër. Nuk ka asnjë vizitë të ministrit në asnjë vend. Ato që u bënë në Maqedoni dhe në Turqi ishin vizita rutinore", vijoi Kelmendi. Sipas tij, me këtë diplomaci të çoroditur është fare e kuptueshme që Kosova akoma mund të humbë edhe njohje të tjera dhe të rrezikojë mbështetjen ndërkombëtare. " Shembull është Tajvani. Ai ka pasur njohje shumë dhe janë tërhequr. Kjo mund të ndodhë edhe në Kosovë", ka thënë ai.

(Kosova Sot)