Turqia presion Kosovës për ekstradimin e shtetasit turk të dyshuar si anëtar i FETO-s

  • 02 November 2017 - 14:14
Turqia presion Kosovës për ekstradimin e shtetasit turk të dyshuar si anëtar i FETO-s

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në një deklaratë për media në ambientet e Ambasadës së Turqisë në kryeqytet, vlerësoi arrestimin e shtetasit turk, Uğur Toksoy, i cili u arrestua në qytetin e Prizrenit ditën e premte dhe i cili është i dyshuar si anëtar i Organizatës FETO, të cilës zyrtarët turq, përfshirë edhe ambasadoren Kılıç i referohen si organizatë terroriste.

Në fjalën e saj, Kılıç theksoi se në bazë të një urdhër arresti të gjykatës së dytë penale në Hatay të Turqisë, Uğur Toksoy është akuzuar si anëtar i organizatës terroriste të armatosur FETO/PYD, duke bërë të ditur se nga autoritetet e Kosovës është kërkuar arrestimi dhe ekstradimi i tij në Turqi.

Kılıç po ashtu rikujtoi se është marrë vendimi i paraburgimit 40-ditor për Toksoy dhe, siç tha ajo, çështja është aktualisht në duart e gjyqësorit të Kosovës, duke shprehur besimin se gjyqësori kosovar do të japë vendimin e duhur për personin në fjalë.

“Ne besojmë në gjyqësorin e Kosovës dhe, ashtu siç besojmë ne, presim që t’i besohet edhe drejtësisë turke. Në fund të këtij procesi të cilin e kemi filluar ne si Republika e Turqisë, ky person që kërkojmë ekstradimin e tij do të ketë një proces gjyqësor në Turqi. Kërkesa jonë është kjo. Shteti i Kosovës, të cilin e konsiderojmë si një mik të Turqisë, ishte pranë nesh në luftën kundër terrorizmit deri më tani dhe besojmë se do të jetë pranë nesh edhe më tej”, tha Kılıç.

Duke potencuar se shteti i Turqisë këtë kërkesë e ka bërë duke u nisur nga e drejta ndërkombëtare e çdo shteti, Kılıç tha se duhet të pritet vendimi i gjyqësorit pa ndërhyrë në këtë proces për një person i cili është arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste të armatosur, raporton Anadolu Agency.

“Prej momentit të arrestimit të personit në fjalë, deklaratat e disa qarqeve lidhur me këtë proces, veçanërisht lidhur me Turqinë dhe ecurinë e proceseve gjyqësore në Turqi, kanë qenë të pabaza dhe me qëllim dezinformimi dhe në një formë edhe me qëllim për të ndikuar në procesin gjyqësor në Kosovë, për të cilat mund të them se kanë qenë të pakëndshme për ne dhe jemi ndier shumë të hidhëruar nga këto”, u shpreh ambasadorja Kılıç. 

(Kosova Sot)