Erdogan: Vetura e parë turke në vitin 2021, blerësi i parë do të jem unë

  • 02 November 2017 - 16:02
Erdogan: Vetura e parë turke në vitin 2021, blerësi i parë do të jem unë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan sot në Ankara deklaroi se pritet që automjeti i parë i prodhimit vendor të dalë në shitje në vitin 2021, ndërsa prototipi i tij pritet të përfundojë në vitin 2019.

Në prodhim do të marrin pjesë kompanitë Anadolu Group, BMC, Kıraca Holding, Turkcell Group dhe Zorlu Holding.

“Ky është një projekt i rëndësishëm në kuadër të synimeve për realizim deri në vitin 2023 dhe për këtë arsye nuk e duam as vonesën më të vogël”, ka thënë Erdogan, përcjell AA.

“Në Turqi, vitin e kaluar është realizuar shitja e 757 mijë automjeteve brenda vitit. Fakti se Turqia në këtë fushë ende nuk ka bërë asgjë paraqet turp për vendin tonë. Sot ne bëjmë hapin historik sa i përket çlirimit nga ky turp”, tha Erdogan.

Presidenti turk theksoi se është i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetje grupit që do të punojnë në prodhimin e automjetit të parë, duke shtuar se dëshiron të jetë blerësi i parë i automjetit që do të dalë në shitje.

“Ajo çfarë pres nga ky grup është që sa më parë të përfundojnë përgatitjet për projektin, dhe më së voni deri më vitin 2019, të kemi prototipin e automjetit dhe në vitin 2021 të dalë në treg automjeti i parë. Nuk duam asnjë vonesë në rastin e projektit për të cilin besojmë se zë vend të veçantë në mesin e objektivave tona të përcaktuara për vitin 2023”, ka thënë Erdogan.

Më tej shtoi se nuk është çështja vetëm në prodhimin e automjeteve, por se bëhet fjalë për një hap shumë ambicioz, në kontekstin e teknologjisë dhe përvojës që do të investohen në këtë projekt.

Sipas presidentit Erdogan, grupi i kompanive që do të punojnë në automjetin e parë turk ka marrë një përgjegjësi të madhe me të cilin do të realizohet ëndrra e shtetit dhe popullit turk, por se në këtë do të ketë çdo lloj mbështetjeje.

 (Kosova Sot)