Dëgjimi i “Grupit të Kumanovës” në lokacion “top sekret”

  • 28 July 2015 - 19:31
Dëgjimi i “Grupit të Kumanovës” në lokacion “top sekret”

Seanca dëgjimore e një pjese të “Grupit të Kumanovës” po zhvillohet nga prokuroria e Maqedonisë në një lokacion “top sekret”, siç thuhet, për shkaqe sigurie.

Portali “BureVesnik” theksoi tani se po zhvillohet dëgjimi i të dyshuarëve të grupit të Kumanovës lidhur me ngjarjen e 9 dhe 10 majit, por për shkaqe sigurie nga evitimi i rrezikut të ndonjë arratisje, dëgjimi i të dyshuarëve po ndodhë në lokalitete të panjohura”, transmeton INA.

Naser Raufi, avokati që po mbron 11 nga kosovarët e paraburgosur të Grupit të Kumanovës ka thënë se të martën për herë të parë Prokuroria e Maqedonisë do t’i prezantojë provat e saj ndaj rastit “Kumanova”, ndërkohë që dihet se deri më tani nuk kanë treguar asgjë.

Numri i të akuzuarëve si pjesëmarrës në grupin e armatosur në Kumanovë është 33 veta, shumica prej të cilëve janë nga Kosova.

Prokuroria Publike ka njoftuar se prokuror përgjegjës për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në zbardhjen e deritanishme të ngjarjes së 9 majit, e cila ndodhi në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ka grumbulluar një pjesë të dëshmive.

“Prokuroria ka përfunduar edhe procedurën për identifikimin e të dyshuarve, të cilën e ka realizuar nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare.

Nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike ka filluar edhe procedura për ekstradimin e personave të dyshuar, si dhe procedurën për grumbullimin e dëshmive në lëndën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.