Mustafa shpreson te deputetët e PDK-së për Gjykatën Speciale

  • 28 July 2015 - 19:36
Mustafa shpreson te deputetët e PDK-së për Gjykatën Speciale

Qeveria e Kosovës po përgatitet që këtë javë ta riprocedojë amendamentin kushtetues në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim, në mënyrë që t’i hapet rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. -

ëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Arban Abrashi i ka thënë KosovaPress-it se janë duke punuar intensivisht me Kuvendin e Kosovës që sa më parë ta kryejnë këtë proces.

Megjithatë, ende nuk dihet sigurt nëse koalicioni qeverisës i ka votat. Sipas burimeve të KosovaPress-it, kryeministri Isa Mustafa po e pret konfirmimin e grupit parlamentar të PDK-së nëse do ta votojnë sigurt, për t’i riproceduar ndryshimet kushtetuese në Kuvend.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi thotë se duhet të sigurohen nëse i kanë votat e mjaftueshme për Specialen në mënyrë që të mos dështojnë edhe një herë, prandaj janë duke punuar që t’i sigurojnë ato dhe këtë javë të votojnë për themelimin e Speciales.

“Ne jemi duke punuar bashkë me Kuvendin, janë intensive, ditore që të kryhet kjo sa më shpejt. Besoj shumë shpejt do të dalim edhe me qëndrim edhe shumë shpejt do të kryejmë këtë obligim…Synimi është këtë javë, po punohet që këtë javë të përfundoj si proces…Po ideja është që kur të hyjmë në votim t’i kemi edhe numrat, do të thotë jemi duke punuar që kjo të kryhet sa më shpejt dhe siç e thash çdo ditë e vonuar e dëmton proceset tjera që kalon Kosova”, tha Abrashi.

Grupi parlamentar i PDK-së, nesër do të mbajë takim, në të cilin pritet t’i jepet drita jeshile Qeverisë për ta riproceduar amendamentin kushtetues në Kuvend që i hap rrugë themelimit të Speciales.

E, zëdhënësi Abrashi thotë se duhet ta kryejnë sa më shpejt këtë obligim ndërkombëtar që kanë marrë.

“Synimi është që të kryhet sa më shpejt, edh e këtë javë, por mbesin dhe kemi në koordinim me Kuvendin që kjo të kryhet sa më shpejt. Është një obligim ndërkombëtar dhe ne nuk i ikim kësaj. Është diçka që është shtyrë nga partnerët tanë, ata që na kanë ndihmuar themelimin e shtetit të Kosovës dhe ndihmojnë konsolidimin në vazhdimësi dhe ne kemi marr këtë detyrim dhe do ta kryejmë”, shtoi ai.

Por, qëndrimin kundër ende s’e ka ndërruar opozita, e cila nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj thotë për KosovaPress, se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe do t’i thonë jo Gjykatës Speciale.

“Po ne si opozitë dhe si AAK, si grup u kemi thënë jo ndryshimeve kushtetuese për krijimin e dhomave të specializuara sepse kemi menduar që shkon në dëm të vendit. Në këtë drejt im Qeveria nëse procedon nuk bën atë me të mirën e mundshme. Mirëpo janë dy të këqija, ose merre ose leje, nëse nuk e procedon Qeveria, mendoj se duhet të shkojë në shtëpi dhe këtu po mbizotëron interesi i Qeverisë për të mbijetuar dhe jo interesi i vendit apo marrja e asaj që e kemi quajtur mëvetësi të gjyqësisë së Kosovës”, tha Lekaj.

Madje, Lekaj tha se për dy partnerët e koalicionit po vazhdon një trysni ndërkombëtare dhe këtë e dëshmon edhe një takim që ka pasur dje zëvendësambasadorja amerikane me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.