Riformatohet diplomacia e Kosovës: Këta janë ambasadorët e rinj

  • 28 July 2015 - 23:08
Riformatohet diplomacia e Kosovës: Këta janë ambasadorët e rinj

Diplomacia e Kosovës shumë shpejt do të freskohet me emra të rinj të diplomatëve të cilët do ta përfaqësojnë vendin në disa nga kryeqendrat më të rëndësishme në botë.

Lidershipi në Kosovë po mendon që në pozitat e ambasadorëve të emërohen njerëz me përvojë dhe kredibil për përfaqësimin sa më të mirë të vendit.

Burime të Lajmi.net brenda institucioneve kanë bërë të ditur se është arritur konsensus që në kryeqendrat evropiane të dërgohen ambasadorë të rinj dhe të shkolluar jashtë vendit.

Mësohet se në Bruksel Kosovën do ta përfaqësojë Bernard Nikaj, i cili më parë ka qenë ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe një prej negociatorëve për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Në Paris Kosovën do ta përfaqësojë Qëndrim Gashi i cili do ta pasojë Muhamedin Kulllashin i cili tani del në pension.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile Leon Malazogu do të shkojë në Japoni, ndërsa disa emra të tjerë ende janë në pritje të procedurave të brendshme në Ministrinë e Jashtme.

Burimet kanë bërë të ditur se emrat e ambasadorëve të rinj të lartpërmendur shumë shpejt do t'i dekretojë presidentja Atifete Jahjaga, pas procedurave parlamentare, raporton Lajmi.net.