Vjehrri akuzohet për dhunë ndaj së resë pse e harroi derën e ahurit hapur

  • 08 November 2017 - 23:45
Vjehrri akuzohet për dhunë ndaj së resë pse e harroi derën e ahurit hapur

Në Gjykatën e Ferizajt janë shqyrtuar dy raste të dhunës në familje, ku për motive të ulëta viktimat pësuan lëndime trupore.

Në të dy rastet, të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.

Në rastin e parë, Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.H., i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj nuses së djalit të tij për arsye se e njëjta kishte harruar hapur derën e ahurit, raporton kallxo.com.

Sipas aktakuzës ngjarja kishte ndodhur më 16 janar 2017 në orët e mbrëmjes në shtëpinë e përbashkët të palëve në fshatin Mirash, komuna e Ferizajt, ku për shkak të mosmarrëveshjeve dhe dhunës së vazhdueshme familjare, i pandehuri Sh.H. e sulmon të dëmtuarën-nusen e djalit të tij, në atë mënyrë që në shenjë preteksti se e njëjta e kishte lënë derën e ahurit të hapur.

Aktakuza thotë se i pandehuri e ka goditur disa herë me shuplaka rejën e tij, me çka ka kryer veprën penale – sulm.

Në rastin e dytë, sipas aktakuzës, i pandehuri F.R. më 10.04.2014 rreth orës 15:30 në fshatin Petrovë, komuna e Shtimes, në shtëpinë e tyre pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën H.K., pasi nga e dëmtuara kishte kërkuar para dhe e njëjta në pamundësi për t’ia siguruar, ky i fundit e ka sulmuar fizikisht.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka goditur bashkëshorten me grusht në pjesën e kokës dhe krahun e majtë. Nga këto goditje e dëmtuara kishte pësuar dëmtime të lehta trupore.

Në të dy rastet e shqyrtuara në Gjykatën Themelore në Ferizaj të pandehurit e mohuan në tërësi përmbajtjen e akuzës dhe u deklaruan të pafajshëm.

(Kosova Sot)