Qytetarët mbi "Kurriz", në rrezik nga i sëmuri psikik, i dhunshëm dhe agresiv

  • 09 November 2017 - 09:39
Qytetarët mbi

Banorët dhe bizneset në rrugën "Idriz Gjilani" - në "Kurriz", në lagjen "Dardania" të Prishtinës, janë në hall të madh nga një person i sëmurë psikik (B.A), i njohur për Redaksinë. Në moshën mesatar, i gjatë, shumë i fuqishëm, ky person nuk heziton të sulmojë këdo që nuk ia plotëson dëshirën, në çfarë- do dyqani që hyn, kafene, barnatore apo edhe dyqanet e tekstilit. Duke shqetësuar klientët, duke tmerruar personelin e bizneseve, duke dëmtuar mallrat e tyre, e në disa raste ka sulmuar edhe punë- torë apo edhe klientët e bizneseve, duke u shkaktuar lëndime serioze. Në rast krize më të madhe, ai sulmon edhe kalimtarët e rastit, duke mos zgjedhur askënd, fëmijë, gratë apo edhe pleq. Që nga pas lufta, ai ka qenë shumë 'popullor' në lagje, ku banorët dhe pronarët e bizneseve i ofronin pije, cigare, mandej edhe rroba falas në shenjë humanizmi. Por, tashmë ai është shndërruar në tmerrin e tyre. I tillë ishte edhe dje në mëngjes. Ky person që afër një muaj është pacient që trajtohet në Qendrën Integruese dhe Rehabilituese të të Sëmurëve Kronik-Psikiatrik - në Shtime, ai arrin të ikë nga Qendra vazhdimisht, duke u drejtuar për në Prishtinë. Përderisa banorët e Kurrizit dhe punëtorët e dyqaneve kërkojnë që autoritetet të marrin masa ndaj personit në fjalë, zyrtarët nga QIRSP e Shtimes porosisin qytetarët që të njoftojnë menjëherë policinë sapo ta shohin personin në fjalë, dhe të rrinë sa më larg tij, pasi, sipas tyre, ai është një i sëmurë psikik shumë i rrezikshëm. Pasi edhe dosjet e policës janë të mbushura me veprat penale të pacientit.

I dhunshëm edhe ndaj stafit e klientëve

Banorët dhe punëtorë e bizneseve tregojnë storie tmerruese me përballjen me këtë person të sëmurë psikik. Vjosa Kosumi, punëtore në dyqanin e veshjeve "Zara - Bershka", në "Kurriz", ka thënë për "Kosova Sot" se pacienti B. A. hyn në dyqane duke bërë problem, merr rroba të shumta, është shumë i rrezikshëm, shan, godet xhamat. Tregohet agresiv dhe i dhunshëm ndaj stafit dhe klientëve, të cilët dalin të tmerruar nga dyqani. "Ai po na sjell shumë problem, duke dëmtuar mallrat e dyqanin, shan e ofendon. Për më keq, ai është shumë agresiv, duke rrezikuar edhe personelin e dyqanit", ka thënë Kosumi, duke treguar se disa herë kanë qenë të detyruar të thërrasin policinë për ta larguar atë. Edhe Valdete Dërguti, pronare e minimarketit "NORIKU", ka thënë për "Kosova Sot", se personi në fjalë po u sjell shumë probleme në punë, duke hyrë në dyqane e duke marrë gjëra të ndryshme, duke i dëmtuar ato dhe duke krijuar problem. "Vazhdimisht po na krijon probleme, sidomos në këto gjashtë muajt e fundit. I merr gjërat, sillet keq dhe i dëmton ato. Nëse e kundërshtojmë ose kërkojmë që të dalë jashtë, ai tregohet shumë i rrezikshëm e na sulmon", ka thënë Dërguti. Edhe Fadil Zhdrella, pronar i kafenesë "Pasarella", ka thënë se B.A. ka sjellje të dhunshme dhe sillet shumë keq me njerëzit, duke i shqetësuar klientët, merr pijet në tavolina, duke iu ulur atyre në tavoline e gjëra të tjera. "Ka sulmuar edhe punëtorët duke u shkaktuar lëndime serioze, por edhe klientët", ka thënë Zhdrella.

Pacienti violent

Në anën tjetër, zyrtarë të QIRSP në Shtime, pacientin B.A. e përshkruajnë si shumë agresiv, të rrezikshëm dhe u këshillohet qytetarëve që të qëndrojnë larg tij. Drejtori i QIRSP në Shtime, Dr. Miftar Zenelaj, ka thënë për "Kosova Sot", se pacient i "Kurrizit" është sjellë me një vendim të Gjykatës së Prishtinës në Shtime, afërsisht një muaj më parë. Por, siç ka thënë ai, pacienti, një i sëmurë psikik rëndë, vazhdimisht i përvidhet stafit të institucioneve dhe ikën. "Ka ikur dje, edhe më herët, iu kemi bërë apel të gjithëve që sapo ta shohin të njoftojnë policinë, kjo e fundit është e detyruar që të na njoftojë sapo ta gjejë. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për ta mbajtur, por ai vazhdimisht ikën", ka thënë Dr. Zenelaj, duke shtuar se ky pacient duhet të dërgohet në Instituti e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Ai ka thënë se pacient B.A., që ka një histori të gjatë në trajtimin psikiatrik në institucione të shëndetit mendor dhe në Klinikën e Psikiatrisë, është një pacient destruktiv në aspektin e sjelljes, violent, qoftë në institucion, qoftë edhe jashtë tij. Më tej, Dr. Zenelaj ka thënë se B.A. është i papërfillshëm në aspektin e trajtimit psikosocial, dhe se është nën ndikimin e terapisë, siç ka pohuar më tej ai, ka një terapi adekuate sipas protokollit të trajtimit të sëmundjes së tij për skizofreni. Por, ka shtuar ai, është një pacient që është korpulent edhe në aspektin fizik, shumë i zhvilluar dhe është e pamundur që ai të ndalet. "Ne jemi një institucion i tipit të hapur, do të thotë pacienti te ne është i lirë, e merr trajtimin e duhur edhe terapeutik, edhe psiko- social. Ne nuk mund ta izolojmë atë, nuk kemi kushte për ta izoluar. Ekziston Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ku trajtohen pacientët me masë të trajtimit të detyrueshëm psikiatrik nga Gjykata dhe Emergjenca psikiatrike, ku janë dhomat e izolimit për pacientët agresivë. Pavarësisht përkushtimin të stafit dhe mbajtjes nën vëzhgim, ai përvidhet në çdo moment", ka thënë Zenelaj.

(Kosova Sot)