Nuk ka ende vendim për takimin Trump-Putin

  • 09 November 2017 - 10:27
Nuk ka ende vendim për takimin Trump-Putin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se nuk ka ende vendim nëse presidenti Donald Trump do të ketë bisedime formale me presidentin rus, Vladimir Putin, në një samit ekonomik të Azisë, që do të mbahet këtë javë.

Komentet e Tillersonit vijnë pasi një ndihmës i Putinit tha se ky i fundit dhe Trump, me gjasë, do të takohen më 10 nëntor.

Yury Ushakov tha se takimi në margjina të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, në Vjetnam, "po aranzhohet në këtë moment".

Por, Tillerson, i cili po shoqëron Trumpin në turneun e tij në Azi dhe ka folur për gazetarët në Pekin, tha se çështja qëndron tek ajo nëse takimi Trump-Putin do të ketë "substancë të mjaftueshme".

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë tensionuar keq për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë dhe ndërhyrjes së saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

Të vetmin takim ballë për ballë, presidentët Trump dhe Putin e kanë zhvilluar në margjina të një samiti në Gjermani, në muajin korrik.

(Kosova Sot)