Kelmendi: Manovrat tregtare në kurriz të Kosovës

  • 09 November 2017 - 14:25
Kelmendi: Manovrat tregtare në kurriz të Kosovës

Analisti Muhamet Kelmendi tha se "Kosova Sot' ka sjellë në vazhdimësi shkrime të faktuara se çfarë manovrimesh po bëhen në tregtinë, kryesisht me Serbinë, jo vetëm nga " ETC"-ja e Ramiz Kelmendit, por edhe nga Kompania " Devolli", dy subjekte tipike profitere, pa shikuar interesat e vendit tonë. "Natyrisht se jo vetëm që duhet ndaluar këtë tregti të pabarabartë me shtetin serb, duke vënë masa dhe sanksione të ndryshme ekonomike, por kërkohen të merren edhe masa ndëshkuese kundër atyre që po i shkelin masat e tilla, ndonëse të tillët janë shumë pak, por të fortë ekonomikisht", u shpreh ai. "Në veçanti duhet rritur masat doganore dhe tatimore ndaj mallrave esenciale, sikundër që është gruri, misri dhe produktet e tjera. Natyrisht se lidhjet midis këtyre matrapazëve ekonomikë dhe atyre të politikës janë të mëdha. Përfitime kanë, si 'ETC'-ja, 'Devolli', sikundër edhe 'HIB'-i, 'Alpetroli', 'Lesna' etj., por kanë edhe politikanët, që ishin dhe janë të lidhur me ta", theksoi Kelmendi. "Kjo është çështje për Prokurori. Kosova është duke vuajtur shumë nga këto kompani. Ato po blejnë prodhime të prodhuara vetëm për Kosovën në Serbi, prodhime pa kualitet, të dyshimta dhe shumë të skaduara në afat, që po krijojnë edhe sëmundje të ndryshme në vendin tonë. Këto prodhime po shiten nëpër dyqanet dhe shtëpitë shitëse, si 'Interex', 'Super -Viva', 'ETC'-ja, apo në 'Lesna', etj., me çmime të tjera, prej nga po kanë përfitime të mëdha. Deri në 1 miliard euro po shkojnë nga duart e këtyre firmave në Serbi", ka potencuar Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)