< Lirohen nga arresti dy të akuzuar për presion ndaj biznesmenëve - Lajme - Kosova Sot
Lirohen nga arresti dy tė akuzuar pėr presion ndaj biznesmenėve

Lirohen nga arresti dy tė akuzuar pėr presion ndaj biznesmenėve

Dy nga tre të akuzuarit për presion ndaj disa biznesmenëve për një pronë në Fushë-Kosovë janë liruar nga arresti shtëpiak.

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit që akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve mbrojtja propozoi lirimin e tyre nga arresti shtëpiak.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti pastaj mori aktvendim që të lirojë nga kjo masë Sylejman e Osman Bajramin, ndërsa e la edhe më tutje në paraburgim Arben Bashotën.

“Aprovohet kërkesa për Osman Bajramin dhe Sylejman Bajramin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, ndërkaq refuzohet kërkesa për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit Arben Bashota”, tha gjyqtari Hoti.

Ai tregoi se Bashota do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpiak ngase “gjatë rjedhës së shqyrtimit gjyqësor rezulton shkalla më e lartë e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale që i vihet në barrë”.

Dy të liruarve nga arresti shtëpiak u është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor.

“Të njëjtëve do të ju caktohet masa e paraqitjes në stacion policor dhe atë tri herë në javë, çdo të hënë, mërkure e premte”, shpjegoi Hoti.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Pas propozimit të mbrojtjes për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre të akuzuarve dhe pas marrjes së vendimit të prokurores së rastit, Merita Bina- Rugova, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti mori aktvendim përmes së cilit liroi nga arresti shtëpiak Osman Bajramin dhe Sylejman Bajramin, por jo Arben Bashotën.

Në këtë proces gjyqësor të dëmtuarit kanë treguar për presionet e të akuzuarve ndaj tyre.

(Kosova Sot)

14 orë e 40 minuta më parë