Çka janë “Paradise Papers” dhe çka na tregojnë ato?

  • 09 November 2017 - 19:59
Çka janë “Paradise Papers” dhe çka na tregojnë ato?

Dosjet tregojnë se perandoria "offshore" është më e madhe dhe më e komplikuar sesa që mund të kishim menduar.

Emri "Paradise Papers" i referohet "rrjedhjes" (publikimit) të 13.4 milionë dosjeve. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve - 6.8 milionë - kanë të bëjnë me një kompani ligjore dhe një ofruesi të shërbimit të korporatave, që kishin vepruar së bashku në 10 juridiksione nën emrin "Appleby". Vitin e kaluar, dega "e besueshme", trusti i këtij biznesi, ishte subjekt i një blerjeje të menaxhmentit dhe tani quhet "Estera". Aty ka edhe detaje nga 19 regjistra të kompanive, të mbajtura nga qeveritë në juridiksione sekrete - Antigua dhe Barbuda, Aruba, Bahama, Barbados, Bermuda, ishujt Kajman, ishujt Kuk, Dominika, Grenada, Labuan, Libani, Malta, ishujt Marshall, St Kits dhe Nevis, St Lucia, St Vincent, Samoa, Trinidad dhe Tobago dhe Vanuatu. Dokumentet përfshijnë periudhën midis viteve 1950 - 2016.

Sa organizata mediatike i kanë parë këto të dhëna?

"Guardian" është njëri prej 96 partnerëve mediatikë në këtë projekt. Gjithsej 381 gazetarë nga 67 vende kanë analizuar këtë material.

Kush i siguroi këto dokumente dhe si?

Këto dokumente ishin siguruar nga gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung", e cila po ashtu kishte marrë "Panama Papers" vitin e kaluar. "Süddeutsche Zeitung" e ndau këtë material me Konzorciumin ndërkombëtar të gazetarëve investigativë, një organizatë me seli në SHBA, e cila koordinoi bashkëpunimin global. "Süddeutsche Zeitung" nuk ka folur e as që do të flasë rreth burimit të informatave.

 A përqendrohen "Paradise Papers" te kompanitë, apo individët?

Te të dy. Ato bashkohen nga një gjë - paratë. Disa prej kompanive më të mëdha multinacionale globale gjenden në këto dokumente, duke përfshirë edhe emrat, si "Apple", "Nike" dhe "Facebook", si dhe disa prej njerëzve më të pasur në botë, duke filluar nga mbretëresha e deri te Bono dhe, nga yjet e serive britanike e deri te yjet që stolisin Bulevardin e Hollivudit. Çka tregojnë këto dokumente? Dosjet tregojnë se perandoria "offshore" është më e madhe dhe më e komplikuar sesa që mund të kishim menduar. Dhe, bile edhe kompanitë, si "Appleby", të cilat e konsiderojnë veten bartëse të standardit në këtë fushë, kanë rënë pre e rregullatorëve që përpiqen ta mbikëqyrin industrinë.

Image

Ndër zbulimet kryesore, përfshihen:

• Me miliona funte nga prona private e mbretëreshës britanike janë investuar në një fondacion në ishujt Kajman - dhe, një pjesë e parave të saj shkuan te një shitës, i cili është akuzuar për eksploatimin e familjeve të varfra dhe njerëzve të pafuqishëm.

 • Princi Charles ka pasur fitime të mëdha në bazë të firmës "offshore" të mikut të tij.

 • Marrëveshje të gjera "offshore" nga pjesëtarët e kabinetit të presidentit Donald Trump, nga këshilltarët dhe donatorët, duke përfshirë edhe pagesat e konsiderueshme nga një kompani bashkëpronar i së cilës është dhëndri i Vladimir Putinit.

• 'Twitter' dhe 'Facebook' kanë marrë me qindra miliona dollarë investime, të cilat rezultojnë se i kanë rrënjët te institucionet financiare shtetërore ruse.

• Trusti i ishujve Kajman, që evitojnë pagimin e taksave, menaxhohet nga financieri kryesor i kryeministrit kanadez, Justin Trudeau.

 • Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, iu ka ikur tatimeve ndaj një avioni me vlerë 17 milionë funte, duke përdorë një skemë "Isle of Man".

• Oksfordi dhe Kembrixhi, si dhe universitetet kryesore amerikane, kanë investuar "offshore", ku një pjesë e parave kanë shkuar në industritë e karburanteve fosile.

 • "Apple", në mënyrë të fshehtë, ka bartur pjesë të perandorisë së saj në Xhersi, pas akuzave rreth taksave.

• Tregohet si arrin gjiganti i veshjeve sportive, "Nike", ta evitojë pagimin e tatimeve.

 • Paratë e gatshme "offshore" ndihmuan akuzat e Steve Bannon'it kundër Hillary Clintonit.

• Një ish-ministër britanik, i cili mbronte evazionin tatimor, ka një fond trusti në Bahama.

• Rrjetet komplekse "offshore" ishin përdorë nga dy miliarderë rusë, për të blerë aksione në klubet e futbollit Arsenal dhe Everton.

• Yjet e serisë komike britanike, "Mrs Brown's Boys", kanë përdorë një rrjet të kompanive "offshore", për t'i ikur pagimit të tatimeve.

• Kompania ligjore, që gjendet në qendër të dokumenteve të publikuara "Paradise Papers", ishte kritikuar për 'dështime të vazhdueshme' të respektimit të ligjeve rreth financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

• Shtatë donatorë të mëdhenj republikanë i mbajnë paratë e tyre në parajsa tatimore.

 • Një donator i madh demokrat formoi një fond të madh privat, prej 8 miliardë dollarësh, në Bermuda.

Çka thotë "Appleby"?

Kjo kompani ka mohuar çdo keqbërje, të kryer qoftë nga ajo, apo nga ndonjëri prej klientëve të saj. Por, ka pranuar se nuk është e pagabueshme dhe ka thënë se është përpjekur që të mësojë nga gabimet veta. Kompania ka pranuar që të marrë pjesë në çfarëdo hetimi formal. "Estera" nuk ka pranuar që të komentojë.

(Kosova Sot)