Trump: Përparim i shkëlqyer në bisedimet me Kinën

  • 09 November 2017 - 21:02
Trump: Përparim i shkëlqyer në bisedimet me Kinën

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se në bisedimet e tij me presidentin kinez Xi Jinping është bërë përparim i shkëlqyer.

Deklarata vjen pas komenteve të tij të mëparshme, në të cilat ai kishte thënë se synonte ta nxiste Pekinin që ta detyronte Korenë e Veriut për të braktisur programin e saj të armëve bërthamore.

Dy udhëheqësit bënë deklarata të përbashkëta mbi Korenë e Veriut. Zoti Trump pohoi se Kina është vendimtare për një zgjidhje diplomatike lidhur me udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong Un.

"Për sa kohë që ne qëndrojmë së bashku, edhe me të tjerë nëse është e nevojshme, kundër atyre që kërcënojnë qytetërimin tonë, ky kërcënim nuk do të ndodhë kurrë dhe as që ka mundësi të ndodhë. Siç e thashë edhe dje në fjalimin tim në Seul, i tërë qytetërimi duhet të bashkohet për t'u përballur me kërcënimin e Koresë së Veriut", tha presidenti amerikan.

Zoti Trump tha gjithashtu se Kina mund ta zgjidhë problemin lehtë dhe shpejt. Nga ana e tij Presidenti Xi la të kuptohet se Pekini nuk është i gatshëm të marrë rolin udhëheqës në trysninë ndaj Phenianit që ai të heqë dorë nga ambiciet bërthamore.

"Për çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, ne përsërisim angazhimin e vendosur për arritjen e çmilitarizimit të gadishullit dhe ruajtjen e regjimit të mospërhapjes. Të dyja palët do të vazhdojnë të zbatojnë plotësisht dhe rreptësisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të njëjtën kohë, ato angazhohen të punojnë drejt një zgjidhjeje përmes dialogut dhe negociatave", tha zoti Xi.

Është e paqartë se si dy udhëheqësit i përkufizuan rolet e tyre përkatëse në trajtimin e çështjes së Koresë së Veriut gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura. Por duket se Presidenti Trump ka hequr dorë nga komentet e bëra më parë gjatë këtij viti se, nëse Kina nuk ndërhyn për zgjidhjen e çështjes së Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara do ta marrin vetë në dorë atë.

Ndërkohë, administrata Trump vuri në dukje disa marrëveshje biznesi të nënshkruara gjatë vizitës së presidentit në Kinë. Njëra nga marrëveshjet ka të bëjë me kompaninë më të madhe kineze të shitjeve në Internet, e cila do të blejë nga SHBA mish me vlerë deri në 1.2 miliardë dollarë.

Megjithatë, presidenti Trump përsëriti ankesën e tij rreth pabarazisë në tregtinë me Kinën.

Nga ana e tij presidenti kinez Xi tha se ekziston një e ardhme më e gjerë dhe më e begatë për bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve. Ai shtoi se gjatë vizitës së Presidentit Trump në Kinë u nënshkruan 250 miliardë dollarë marrëveshje biznesi dhe se "investimet kineze në Shtetet e Bashkuara po rriten me shpejtësi".

Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë përkatësisht ekonomitë më të mëdha dhe ushtritë më të fuqishme në botë. 

(Kosova Sot)