< Apeli i Durrësit vendos burg për “gylenistin”, por ai është zhdukur - Lajme - Kosova Sot
Apeli i Durrėsit vendos burg pėr “gylenistin”, por ai ėshtė zhdukur

Apeli i Durrėsit vendos burg pėr “gylenistin”, por ai ėshtė zhdukur

Gjykata e Apelit në Durrës ka vendosur të caktojë masën e arrestit në burg ndaj profesorit të gjeografisë Muhammet Yasir Aydogmus, i cili kërkohet nga drejtësia Turke për “Pjesëmarje në Organizatë Terroriste”.

Vendimi është marrë ditën e sotme, ndërkohë mësohet se pasi është njohur me këtë vendim, Turku Muhammet Yasir Aydogmus është dyshohet se është zhdukur nga kampi i refugjatëvë në Babrru që në datën 30 Tetor 2017. Edhe pse tashmë kanë kaluar 10 ditë prej largimit të tij nuk ka asnjë informacion paraprak mbi vendodhjen e shtetasit turk. Gjykata e Durrësit la të lirë Aydogmus në 13 tetor, pasi hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg. 

Ambasada e Turqisë pak ditë më parë reagoi në lidhje me këtë çështje, duke treguar se Turqia i ka dhënë një vemendje të madhe rastit në fjalë. Profesori i gjeografisë Muhammet Yasir Aydogmus, i cili kërkohet nga qeveria e presidentit Erdogan në Turqi për “Pjesëmarjë në organizata terroriste” që në momentin e parë që është arrestuar në portin e Durrësit, së bashku me tre anëtarët e familjes së tij, ka paraqitur verbalisht kërkesën për azil politik, por askush nga policia nuk e ka marrë në konsideratë atë.

Gazeta “Shqiptarja.com” mëson se kjo kërkesë e azilit politik është protokolluar në policinë e Durrësit, vetëm pasi Muhammet Aydogmus ishte arrestuar për herë të dytë dhe kur ky i fundit i ishte drejtuar autoriteteve të drejtësisë Shqiptare me një kërkesë me shkrim. Sot “Shqiptarja.com” zbardhi të plotë kronologjinë e këtij arrestime, shumën financiare që Muhammet Aydogmus pagoi në formë garancie pasurore për të fituar lirinë dhe letërkëmbimet që ambasada turke ka pasur me Prokurorinë e Përgjithshme për këtë rast dhe komunikimin e Interpol Tirana me policinë e shtetit lidhur me dokumentacionin që disponojnë autoritetet e drejtësisë Turke për shtetasin Muhammet Aydogmus.

Arrestimi brenda në portin e Durrësit

Shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus është shtetas turk me profesion pedagog. Në datën 7 tetor 2017, ora 23:00 ai është ndaluar së bashku me bashkëshorten e tij Nermin Aydogmus dhe dy fëmijët e tyre teksa kanë tentuar të kalonin kufirin në Portin e Durrësit për në Itali, nëpërmjet tragetit Durrës-Bari.

Nga verifikimet e kryera nga oficerët e policisë së pikës kufitare është dyshuar se të katërta pasaportat e përdorura nga shtetasi Muhammet Yasir  Aydogmus, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij ishin të falsifikuara. Në këto kushte policia ka arrestuar në flagrancë në 8 teteor 2017 shtetasin Muhammet Yasir Aydogmus dhe bashkëshorten e tij Nermin Aydogmus.

Materialet e mësipërme i janë përcjellë Prokurorisë Durrës, e cila në 9 tetor 2017 ka paraqitur në Gjykatë kërkesë për vleftësimin e ligjshëm të arrestit të shtetasve Muhammet Yasir dhe Nermin Aydogmus dhe caktimin e masës së sigurimit personal për të dy këta shtetas, duke qenë se ata dyshohen për kryerjen e dy veprave penale në territorin e Shqipërisë, atë të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit”.Për llogari të procedimit penal për dy veprat e mësipërme, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg” ndaj shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus dhe atë të “Ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”, për bashkëshorten e tij Nermin Aydogmus.

Në atë gjykim shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus ka pranuar faktin se ka falsifikuar të katër pasaportat për të gjithë anëtarët e familjes së tij, pasi atij dhe familjes i rrezikohej jeta për shkak të faktit se ai ishte mësues dhe kolegji ku ai jepte mësim ishte mbyllur nga shteti turk për motive politike. Pasi ka shqyrtuar kërkesën e mësipërme të Prokurorisë në 11 tetor 2017, Gjykata e Durrësit ka dhënë vendimin për Muhammet Yasir Aydogmus duke vendosur të vlerësojë të ligjshëm arrestit në flagrancë. Por për shkak se ky shtetas ka paguar një garanci pasurore prej 1 milion e gjysëm lekë të vjetra, gjykata ka urdhëruar që profesori turk dhe gruaja e tij të lihen të lirë, duke caktuar masën e detyrimit për paraqitje. Në vendimin e gjykatës së Durrësit të cilën “Shqiptarja.com” e disponon thuhet se: "Urdhërohet shtetasi turk Muhammet Yasir Aydogmus të paraqitet të hënën e parë e të tretë të çdo muaji para oficerit të policisë gjyqësore nga ora 11:00-12:00".

1.5 milion lekë garanci pasurore

Sipas vendimit të gjykatës ndaj shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus janë caktuar dy masa sigurimi shtrëngues për efekt të procedimit të zhvilluar në Shqipëri, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose  vizave” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit”. Masa e sigurimit “Arrest në burg”, e cila mund të konvertohet në “Garanci pasurore” nëse brenda datës 14 teteor 2017 i arrestuari do të paguante si garanci shumën prej 150.000 lekë.

Ndërsa masa e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të hënën e parë e të tretë të çdo muaji para oficerit të policisë gjyqësore nga ora 11:00-12:00. Ndërkohë po në datën 11 tetor 2017, gjatë kohës që i arrestuari Muhammet Yasir Aydogmus ka qenë në masën e sigurimit “Arrest në burg” për efekt të vendimit të mësipërm, në orën 19:30 oficeri i policisë së Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës Ardit Kërçuku ka vendosur me iniciativë arrestimin e shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus për shkak të njoftimit në orën 13:15 të po asaj date nga ana e Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe sipas vendimit nr. 2017/3397 të Gjykatës Kriminale Turke kërkohej arrestimi i tij provizor.

Arrestim provizor

Nga procesverbali “Për këqyrje dhe marrjen e të dhënave nga e-maili në kompjuter”, datë 11 tetor 2017, mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore Ardit Kërçuku rezulton se në orën 13:15 në adresën e tij elektronike ka mbërritur e-maili i dërguar nga Shefi i Sektorit për hetimin e krimeve pranë DVKM Durrës, me të cilin është përcjellë e-maili i dërguar nga ZQK Tirana mbi e-mailin e dërguar nga Interpol Ankara në datën 9 tetor 2017, ora 18:10. Sipas këtij e-maili, nga ana e Interpol Ankarasë njoftohej Interpol Tirana mbi urdhrin e arrestit të lëshuar për shtetasin Muhammet Yasir Aydogmus, duke përcjellë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë turke për arrestimin e përkohshëm për 40 ditë të shtetasit AYDOGMUS, për qëllim të ekstradimit të tij në shtetin turk.Për arrestimin e përkohshëm të shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus të kryer në orën 21:50 të 11 tetorit 2017 është njoftuar nga oficeri Ardit Kërçuku i DVKM Durrës Prokuroria e Durrësit dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën “Informacion”.

Letërkëmbimi ambasadë-Prokurori e Përgjithshme

Nga aktet e paraqitura nga prokurori rezulton se në datën 11 tetor 2017 Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë ka dërguar pranë Prokurorisë së Përgjithshme një shkresë. Me anë të kësaj shkrese është kërkuar arrestimi provizor i shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus me qëllim ekstradimi për në Turqi, pasi është shpallur në kërkim nga autoritetet turke të drejtësisë për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur”, sipas nenit 314 të Kodit Penal turk.

Në po këtë datë, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në Prokurorinë Durrës një shkresë me të cilën është përcjellë dokumentacioni i transmetuar nga ZQK Interpol Tirana, me qëllim kryerjen nga ana e Prokurorisë të veprimeve me qëllim ekstradimin në Turqi të shtetasit turk Muhammet Yasir Aydogmus. Kjo shkresë rezulton të ketë mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në datën 12 tetor 2017. Ndërkohë në orën 15:09 të 12 tetorit 2017 Prokuroria e Durrësit ka depozituar në Gjykatën e rrethit kërkesën për miratimin e arrestit të përkohshëm të shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus, kryer në datën 11 tetor 2017 dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin për llogari të drejtësisë turke. 

Paraqitja e kërkesës për azil politik

Por në datën 13 tetor 2017 i arrestuari Muhammet Yasir Aydogmus rezulton të ketë paraqitur “Kërkesë për azil politik në Republikën e Shqipërisë dhe mbrojtje nga shteti shqiptar” pranë DVKM Durrës, kërkesë e cila është protokolluar me nr. 03/436 pranë këtij institucioni. Për këtë kërkesë mbrojtësja e të arrestuari ka vënë në dijeni edhe prokurorin e çështjes. Në kërkesën e tij për azil politik dhe mbrojtje nga shteti shqiptar, shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus ka parashtruar se këtë kërkesë ai e ka paraqitur verbalist që në momentin e parë kur është ndaluar, por nuk ka dijeni pse nga autoritetet nuk është proceduar me shqyrtimin e kësaj kërkese, arsye për të cilën është detyruar ta paraqesë sërish me shkrim kërkesën për azil. Si shkak për kërkimin e azilit ai ka parashtruar faktin se jeta e tij dhe e familjes së tij rrezikohet seriozisht nga shteti turk për shkak të bindjeve të tij politike.

Argumentat e gjykatës

Pasi dëgjoi kërkimet dhe pretendimet e palëve dhe shqyrtoi provat e paraqitura në gjykim, gjykata arrin në përfundimin se arresti i përkohshëm i shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus kryer në datën 11 tetor 2017 duhet vlerësuar i ligjshëm, por kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj tij për efekt ekstradimi është e pabazuar në ligj e në prova dhe duhet rrëzuar për sa më poshtë: Së pari, nuk ekziston asnjë provë në RSH që mund të lidhet me faktet apo veprën penale për të cilën po procedohet shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus në Turqi, marrja apo vërtetësia e së cilës mund të rrezikohet nga ana e tij.

Së dyti, i arrestuari Muhammet Yasir Aydogmus nuk ka asnjë rrezik apo mundësi largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë. Ai nuk disponon asnjë dokumentacion me të cilin të mund të kalojë kufirin në kushtet kur pasaporta me të cilën tentoi të kalonte kufirin në 7 tetor 2017 e dyshuar si e falsifikuar është sekuestruar për llogari të procedimit penal ndaj tij dhe po ashtu është sekuestruar edhe çdo dokumentacion tjetër i disponuar nga ai në momentin e arrestimit të tij. Nga ana tjetër, ndaj këtij shtetasi janë caktuar 2 masa sigurimi shtrëngues çka do të thotë se liria e këtij shtetasi është e kufizuar me një masë shtrënguese megjithëse për llogari të një procedimi penal në Shqipëri.c Pra, nuk ka asnjë të dhënë apo rrethanë që të justifikojë rrezikun e ikjes së tij nga territori i RSH.

Së treti, i arrestuari rezulton të jetë pedagog, i padënuar për ndonjë vepër penale dhe fakti që ai ishte duke kaluar transit në Shqipëri me qëllim për t’u larguar drejt Italisë, mungesa e çdo kontakti jetese me Shqipërinë apo njohja e mëparshme e saj tregojnë se nuk ekziston rreziku që ai të kryejë ndonjë vepër penale.Duke qenë se në gjykim rezultoi se shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus ka kërkuar të drejtën e azilit në RSH në datën 13.10.2017 duke pretenduar se në Turqi (shteti që e kërkon) jeta dhe liria e tij kërcënohet për shkak të bindjeve të tij politike, për gjykatën ka një dyshim të fortë se edhe nëse kërkesa për ekstradimin e tij do të paraqitet nga autoritetet turke, ajo do të jetë e papranueshme, pavarësisht faktit nëse aplikimi i shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus për azil do të pranohet ose jo nga autoritetet shqiptare.

Për gjithë sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se kërkesa për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin turk Muhammet Yasir Aydogmus për efekt të kërkesës për ekstradimin e tij që është deklaruar se do të paraqitet nga autoritetet turke është e pabazuar në ligj e në prova dhe si e tillë duhet rrëzuar, duke u urdhëruar lirimi i menjëhershëm i këtij shtetasi.

(Kosova Sot)

16 orë e 12 minuta më parë