BBC: Të kthehet regjimi i vizave për Ballkanin (Foto)

  • 29 July 2015 - 10:29
BBC: Të kthehet regjimi i vizave për Ballkanin (Foto)

Rikthimi i vizave po shihet si një mundësia nga Gjermania, për të ndalur fluksin e emigrantëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Zyrtarët gjermanë po kërkojnë veprimin e institucioneve, duke përfshirë këtu rikthimin e regjimit të vizave dhe shpalljen e vendeve të Ballkanit si zona të “sigurta”.

Situata është acaruar së fundi, pas përplasjeve mes azilkërkuesve, ndërkohë që bëhen thirrje të vazhdueshme që Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi të shpallen vende të “sigurta”.

Rrjeti televiziv britanik BBC bën të ditur se, politika gjermane është përfshirë nga debate të shumta për mënyrën se si duhet përballuar dhe frenuar fluksi i azilkërkuesve.

BBC citon një zëdhënës të Agjencisë gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, i cili thotë se rivendosja e regjimit të vizave do ta frenonte fluksin nga vendet e Ballkanit. Megjithatë, alternativa që po qarkullon më shumë mes klasës politike në Gjermani është shpallja si vende të sigurta për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.


_84532370_asylumepamainstock

Ky klasifikim ua bën më të lehtë autoriteteve gjermane të kthejnë mbrapa azilkërkuesit nga këto vende, pasi ata do ta kenë më të vështirë të vërtetojnë se janë viktima të persekutimit politik, fetar apo etnik në vendet e tyre të origjinës.

Ky hap u ndërmor në dhjetor të vitit të kaluar për Bosnja-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Sipas Agjencisë gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, numri i azilkërkuesve nga këto vende, aktualisht ishte vetëm 12%. Ndërsa nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, që ende nuk janë përfshirë në këtë listë, kërkesat për azil kanë pësuar një rritje me 500%, transmeton shekulli.

Tejmbushja e kampeve të pritjes së azilantëve është bërë shkak edhe për shumë incidente të dhunshme mes tyre në disa qytete gjermane. Autoritetet gjermane presin që këtë vit të kenë 450 mijë kërkesa për azil.


_84532100_asylpegidanewafp

Vetëm në gjysmën e parë të vitit ka pasur 180 mijë të tilla, dyfishi i të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kosova dhe Shqipëria renditen në vendin e dytë dhe të tretë për këtë periudhë pas Sirisë, respektivisht me 31,400 dhe 22,209 kërkesa.