Kryeministri: Në mot krijohen kushtet për të aplikuar për kandidat në BE

  • 10 November 2017 - 13:56
Kryeministri: Në mot krijohen kushtet për të aplikuar për kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shfaqi sot synimin e Qeverisë së tij që t’i krijojë kushtet për aplikim për statusin e kandidatit në Bashkimin Europian gjatë vitit të ardhshëm.

Në një konferencë rreth agjendës europiane të reformave të organizuar nga Grupi për hulumtimin e Politikave në Ballkan, kreu i ekzekutivit i bëri thirrje BE-së që t’i intensifikojë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën në fazën e re të zhvillimeve.

“Dëshirojmë ta kërkojmë statusin e kandidatit, por statusin e kandidatit meritor. Presim që vitin e ardhshëm të aplikojmë prandaj kërkojmë marrëdhënie bilaterale më intensive me BE-në”, tha Haradinaj gjatë kësaj konference.

Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në BE “nuk ka alternativë”.

Por Haradinaj e pranoi se vendimet e institucioneve të Kosovës po hasin në vështirësi në zbatimin e tyre në praktikë.

“Kemi vështirësi të shumta në zbatimin e vendimeve të marra. Nuk e them për ta kritikuar Qeverinë e sotme apo të ardhshme, por duhet ta përmirësojmë këtë”, shtoi Haradinaj.

(Kosova Sot)