< Banda e kokainës në Londër, kush është “i padukshmi” Copja? - Lajme - Kosova Sot
Banda e kokainės nė Londėr, kush ėshtė “i padukshmi” Copja?

Banda e kokainės nė Londėr, kush ėshtė “i padukshmi” Copja?

Gazeta britanike Evening Standard, i ka kushtuar sot një artikull të gjatë botës shqiptare të krimit që duket se ka pushtuar Londrën dhe në mënyrë të veçantë “boss’-it të saj Klodjan Copja.

Edhe pse “mbreti” i kokainës Klodjan Copja po sillej me pranga në duar në Mbretërinë e Bashkuar pas një urdhër-arresti në nivel Evropian, policia nuk ishte e sigurt për identitetin e tij, shkruan gazeta në fjalë.

Më poshtë artikulli i plotë:

Detektivët kishin tre vjet që i gjurmonin lëvizjet e tij dhe thuajse e kishin shkatërruar bandën e tij kriminale shqiptare, e cila e kishte mbuluar Londrën dhe Jug-Lindjen me miliona sterlina drogëra të Klasit A. Ndërkohë që detektivët arrestuan korrierët e tij dhe ndihmësit e besuar si dhe sekuestruan sasi të mëdha kokaine nëpër shtëpitë e tyre, identiteti i bosit të një prej bandave më të mëdha të të gjitha kohërave të drogës nuk po arrinte të zbulohej.

Ashtu si Keyser Söze në filmin “The Usual Suspects”, Copja dukej se ishte gjithnjë një hap përpara ndjekësve të tij. Një herë, pasi agjentët kontrolluan një banesë në Earl’s Court, ata ranë në gjurmët e një individi që sapo ishte larguar me makinë por nuk arritën që ta kapnin atë në kohë. Ishte Copja.

Detektivi-Inspekrtori Nick Blackburn, i cili e hetoi çështjen, tha për gazetën britanike Standard: “Ai nuk kishte shenja gishtash në Britani. Përdorte dokumenta fallso dhe ID të ndryshme dhe nuk kishte dënime të mëparshme. Ishte shumë e vështirë për ne që ta zbulonim se cili ishte në të vërtetë ky individ”. Fati i Copja-s më në fund përfundoi në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, kur ai u kap me një pasaportë fallso.
Ai u ekstradua në Britani por Blackburn tha: “E morëm vesh se kush ishte në të vërtetë kur na erdhi në Britani dhe kur na ranë në dorë shenjat e gishtave të tij”.

Pas operacionit tre vjeçar, 30 vjeçari Copja u dënua më në fund në gusht me 17 vite e 4 muaj burg. Por rasti i tij as që zuri ndonjë vëmendje të madhe në gazetat britanike, të cilat ishin të stërmbushura me një sur dënimesh të tjera shqiptarësh për trafiqe të rënda droge.

Në çështjen Copja, policia sekuestroi 204 kile kokaine të një cilësie të lartë por besohet se ai mund të ketë trafikuar deri në 800 kile, me një vlerë prej 150 milionë sterlinash.
Kriminelët shqiptarë janë bërë tepër të aftë të krijojnë vende të fshehta nëpër makina për të mbajtur kokainën. Policia ndaloi një Renault të bandës së Copjes në Oxford dhe kaloi disa orë duke e ekzaminuar atë. Një detektiv tha: “Kishim parë që kishin futur gjëra aty, por thjesht nuk arrinim t’i gjenim”. Më pas oficerët vendosën një mekanizëm që zbuloi disa kile drogë.

Në një njoftim shqetësues të nxjërrë në qershor, Agjencia Kombëtare e Krimit paralajmëroi lidhur me rritjen e bandave kriminale shqiptare në trafikun e kokainës. The Standard ka shqyrtuar dënimet e fundit të gjykatave që tregojnë se shtetasit shqiptarë janë të angazhuar në trafik rutinë droge në Londër.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, një 23-vjeçar shqiptar u ndalua në Bishopsgate. Pasi ai i paraqiti policisë një ID me cilësi të dobët lituaneze, ata kontrolluan në veturën e tij dhe gjetën 14 qeska kokaine brenda levës së marshit. Navigatori i tij tregoi një adresë në qendër të qytetit ku po shkonte. Po atë muaj, policia ndaloi Admir Palushin, 23 vjeç, me një Audi A6 në Aldgate me 30 qeska kokainë. Krimineli, që më pas u dënua me mbi 2 vjet, kishte një patentë greke fallso dhe i tha policëve se nuk e mbante mend se ku banonte. Në dy celularët e tij u zbulua një listë me 18 kode postare dhe oraret e takimeve. 

(Kosova Sot)

2 orë e 46 minuta më parë