Maloku: Biznes i pistë

  • 10 November 2017 - 15:44
Maloku: Biznes i pistë

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se nuk ka asnjë fije dyshimi se prapa shumë kompanive të mëdha që merren me shitjet e derivateve të naftës, por edhe të bizneseve të tjera, qëndrojnë politikanë të lartë të skenës politike vendore. "I tërë ky biznes i pistë bëhet në atë mënyrë që ato kompani rëndom janë të regjistruara, qoftë në emër të ndonjërit nga familjarët dhe të afërmve të tyre, kurse pjesëmarrja ilegale e këtyre politikanëve në këto biznese të pista bëhet duke qenë qoftë si pronarë anonim apo edhe aksionarë të këtyre kompanive, por gjithmonë në mënyrë ilegale", u shpreh ai. Sipas Malokut, e vërteta vonon, por ajo sërish do të dalë në shesh dhe do të vjen momenti kur pronarët e vërtetë të këtyre kompanive me emra të rrejshëm do të demaskohen.

"Kjo do të ndodhë kur politikanët e lartë do të largohen nga skena politike dhe do t'u kthehen këtyre bizneseve të pista dhe aksioneve të tyre në po këto kompani", potencoi ai. Maloku ka folur edhe për heshtjen e prokurorisë së shtetit në ndriçimin e këtyre rasteve. "Kjo që po ndodh vërtet është e pakuptimtë. Mirëpo, nëse ndodh që të bëjnë ndriçimin e rastit të parë se cili nga politikanët tanë po fshihet pas këtyre kompanive për ndriçimin e rasteve të tjera, nuk do të ketë aspak vështirësi", vijoi më tutje Maloku.

(Kosova Sot)