< Shpendi fluturoi me Rrahën, VV-ja drejt debaklit në Prishtinë - Lajme - Kosova Sot
Shpendi fluturoi me Rrahėn, VV-ja drejt debaklit nė Prishtinė

Shpendi fluturoi me Rrahėn, VV-ja drejt debaklit nė Prishtinė

Analistët politikë e kanë pritur me shumë reagime negative marrëveshjen e fshehtë dhe shumë hipokrite në mes të VV-së dhe AKR-së për balotazhin për kryetar Komune të Prishtinës, e konsideruar si një marrëveshje shumë personale, e bërë nga Shpend Ahmeti e Rrahim Pacolli. Sipas analistëve, kjo marrëveshje e zhvesh Lëvizjen "Vetëvendosje" nga maska e një partie me program majtistë, që është thirrur vazhdimisht në një program për interesin e qytetarëve. Sipas tyre, akti i nënshkrimit të marrëveshjes ditën e mërkurë tregon që në realitet VV-ja veç ishte kaherë një parti e pazareve tepër të pista e kriminale, sikur ato në klanin "Pronto". Njohësit e rrethanave vlerësojnë se VV-ja dhe Shpend Ahmeti janë detyruar të veprojnë për shkak se e kanë parë që humbja e Prishtinës është një akt i përfunduar, kurse marrëveshja me Pacollin do t'i shërbejë si një fije e hollë shprese. Ata theksojnë se më 19 nëntor qytetarët do ta ndëshkojnë me votën popullore synimin hileqar , mashtrues e gënjeshtar që VV -ja me Shpend Ahmetin, Dardan Sejdiun e Liburn Aliun, nuk i dhanë gjë të mirë Prishtinës, e që për katër vjet të plotë u dëshmuan me pushtetin e tyre të tejinkriminuar, që edhe tani po tentojnë të sigurojnë vota duke mashtruar e duke gënjyer, duke blerë votat nga qytetarët e varfër, të përvuajtur e të nëpërkëmbur, edhe atë tani bashkë me AKR-në e Pacollëve po aq hipokritë, mashtrues e blerës të votave, për çka u dëshmuan edhe në raundin e parë të 22 tetorit. Analistët thonë se VV-ja dhe Shpend Ahmeti nuk po zgjedhin mënyrën se si ta mbajnë pushtetin, por me çdo kusht duan ta fitojnë PRISHTINËN, ndërkaq që prishtinasit nuk e duan as VV-në e Shpend Ahmetit të dështuar dhe as AKR-në e ngjashme me VV-në e inkriminuar! Njohësit e skenës politike në vend konsiderojnë që duhet ndëshkuar ashpërsisht këtë lidhje kriminale mes VV-së e AKR-së.

Image

 

Pazare të pista

Për njohësin e zhvillimeve politike rreth betejës për Prishtinën, analistin Ragip Guraziu, kjo marrëveshje nuk ka asnjë përmbajtje tjetër veçse qëllimit përfitues kriminal mbi kurrizin e prishtinasve dhe në dëm të pronës publike. "Këtë ditë që u bë marrëveshja e fshehtë hipokrite dhe e ndyrë nga Shpend Ahmeti e Rrahim Pacolli, u la të kuptohet se edhe VV-ja hyri në vallen e një partie të pazareve tepër të pista e kriminale, sikur ato në klanin 'Pronto'. Edhe vetë Pacollët disa kohë më parë e patën shijuar këtë çorbë pa kripë me klanin 'Pronto'", u shpreh ai. "Të dy këto subjekte partiake, pas kësaj martese për interesa krejtësisht kriminale, do të marrin një përgjigje të fortë ndëshkimi mu nga ata që i kanë votuar,gjegjësisht qytetarët me votën popullore "KUNDËR" do ta përmbysin më 19 nëntor synimin hileqar, mashtrues e gënjeshtar që VV -ja me Shpend Ahmetin, Dardan Sejdiun e Liburn Aliun po e kurdisin kundër interesit të qytetarëve, ndonëse për katër vjet u dëshmuan me pushtetin e tyre të tejinkriminuar , ata edhe tani po tentojnë të sigurojnë vota, duke mashtruar e duke gënjyer dhe duke blerë votat nga qytetarët e varfër, të përvuajtur e të nëpërkëmbur, edhe atë tani bashkë me AKR-në e Pacollëve hipokritë, mashtrues e blerës të votave edhe në raundin e parë të 22 tetorit, që i bie se VV-ja dhe Shpend Ahmeti nuk po zgjedhin mënyrën se si ta mbajnë pushtetin, por me çdo kusht duan ta fitojnë Prishtinën", theksoi Guraziu. "Por, bindja ime është se ata kot e kanë, sepse besoj që prishtinasit kanë kulturë vlerësimi dhe kulturë ndëshkimi, dhe tanimë nuk do ta kenë as për së afërmi, sikur para katër vjetësh, admirimin e tyre dhe simpatinë, as për Shpendin dhe për VV-në , e të mos flasim fare për Pacollët, dy parë miqtë e Serbisë, se deri dje VV-ja dhe AKR-ja, njëra- tjetrën e akuzonin si bashkëpunëtorë të Serbisë", tha Ragip Guraziu.

 

Image

 

Agim Gashi, asamblist nga LDK-ja, thekson se pjesa qendrore e programit të Pacollit ka të bëjë me shndërrimin e zonës universitare në qendër kulturore islame."Ky është projekt që shkatërron identitetin nacional shqiptar dhe shkatërron trashëgiminë nacionale që ka të bëjë me historinë e zhvillimit të arsimit në Kosovë. Siç shihet, ky koalicion, mos tjetër, është më shumë koalicion i interesit të ngushtë mes individëve që përfaqësojnë këto parti politike, sesa bashkim vlerash programore". Ai tutje thekson: "Para disa muajsh VVja e quante Rrahim Pacollin zhvatës dhe keqpërdorues, bashkëpunëtor me vëllain e Hashim Thaçit dhe sot ata planifikojnë që për Rrahim Pacolin ta rezervojnë pozitën e zëvendëskryetarit dhe drejtorit të urbanizmit - dy pozita më të rëndësishme në qeverisjen komunale të Prishtinës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. A nuk është kjo hipokrizi e Shpend Ahmetit dhe e VV-së. Ne jemi të bindur se lidhja e natyrshme e anëtarësisë së AKR-së me LDK-në do të funksionojë në dobi të Arban Abrashit dhe se ky elektorat nuk do t'u bindet hipokrizisë dhe interesave të ulëta të përfaqësueseve të këtij koalicioni".

Koalicione biznesi

Politologu Adnan Bajrami konsideron se kjo marrëveshje jo e sinqertë, krejtësisht joparimore dhe për interesa të ngushta personale e biznesore të nënshkruesve të saj, vetëm sa do ta ulë akoma më shumë besimin e qytetarëve tek kandidati Ahmeti, dhe do ta shtojë akoma më tepër disponimin mbështetës për kundërkandidatin e LDK-së, Arban Abrashin. "Ky koalicion ia jep një mandat të plotë Arbanit, sepse sikur të kishte punuar VV-ja aq suksesshëm në Prishtinë, për interesin e qytetarit, siç po pretendon, atëherë nuk do të frikë- sohej aspak nga humbja e Prishtinës. Tani, avantazhi vazhdimisht po shkon në favor të Abrashit, sepse edhe sondazhet e bëra nga ky subjekt, VV-ja, e kanë qitur Abrashin të parin, andaj frika e ka detyruar për koalicion, e ky koalicion nuk i shërben qytetarit", potencoi ai. Edhe sipas analistit Skënder Mulliqi, të gjitha marrëveshjet lidhur më koalicionet, fatkeqësisht, po lidhen për biznes dhe me biznese të ndryshme. "Duket se të "mirat", të cilat ia ka bërë Shpend Ahmeti, Behgjet Pacollit me pazare biznesore, tash ka ardhur koha që këto të "mira", Pacolli t'ia kthejë Shpendit , duke e votuar sërish për të parin e Prishtinës. Edhe LVV-ja, edhe AKR-ja, për t'i ruajtur interesat e grupeve të caktuara, i janë futur këtij muhabeti me koalicion , duke tentuar që t'i vazhdojnë aty ku i kanë lënë matrapazllëqet biznesore, duke i qitur anash interesat e nëpërkëmbura të qytetarëve. Zaten, në Kosovë po dominojnë ato parti politike, të cilat moti janë shndërruar ose kanë qenë korporata. Po bëhet luftë e madhe për dominim në sfera të ndryshme të interesit , duke e lënë në harresë interesin e përgjithshëm", u shpreh ai. "Dihet se Pacolli dhe Pacollët e tjerë aty përreth tij, punojnë vetëm që t'i arrijnë objektivat biznesore. Zhytja e njerëzve të politikës në afera të ndryshme korruptive është bërë tashmë "modë', e cila është duke e shkatërruar me themel Kosovën. Nuk është çudi se po shërbehen me marifete të tilla të ulëta vetëm që t'i ruajnë pozitat në pushtet, pa marrë parasysh akuzat dhe kundërakuzat në të kaluarën e afërt që i ka pasur LVV-ja me AKR-në", potencoi Mulliqi.

Image

 

E vërteta e klubit të "Vetëvendosjes"

Analisti politik Reshat Badallaj thotë po ashtu se një lidhje e tillë joparimore dhe aspak programore mes VV-së dhe AKR-së për Prishtinën vjen në saje të etheve të humbjes së Shpend Ahmetit në garën për mandatin e dytë, prandaj ai me çdo çmim po dëshiron të provojë edhe kartën e fundit për të mbetur në pushtet. "Vetëm të mjerët, qyqarët dhe naivët kanë menduar se klubi 'Vetëvendosje' angazhohet për komb, për flamur,për bashkim kombëtar dhe për shtet. Ky klub ka dëshmuar se është shkatërruese e vendit dhe synimi i kësaj ka qenë gjithmonë lidhja e tyre me mafio-oligarkët", u shpreh ai për "Kosova Sot". "Ky klub, që quhet 'Vetëvendosje', është një bandë e pazareve, por jo e pazareve të ditës, veçse e pazareve të kanaleve të natës dhe të errësirës, të nëntokës kriminale,por prapa kurrizit të popullit, e në dëm të popullit, për t'u pasuruar personalisht me të gjithë sejmenët. A është ky klub që deri dje nuk ka lënë gjë në fytyrë të tokës pa folur keq për këta xhambazë prorusë dhe tani çka doli…Shpend Ahmeti, këtë marrëveshje tinëzare e bën për dy arsye, e para, për atë të pazareve dhe bizneseve se si të bëhen të kamur dhe e dyta, i ka hyrë frika në palcë se do ta humbë kryeqytetin. Dhe, tani çfarë dallimi ka me klanin "Pronto"? Asnjë dallim", tha Reshat Badallaj.

Presioni i padrejtë mbi votuesit

Profesor Muhamet Kelmendi thotë se në këto zgjedhje janë shumë komuna të cilat për fat të keq po shkojnë në balotazh dhe tani këto marrëveshje politike që po bëhen janë krejtësisht joparimore dhe një lloj tregtie me votën e qytetarit. "Shikuar në bazë të asaj që kemi shkuar në balotazh në shumë komuna, pasi nuk është arritur që të kemi fitues në zgjedhjet lokale, në raundin e parë, në shumë vende po bëhen koalicione, të cilat janë shumë të dëmshme, fillimisht për demokracinë dhe vendin, e më pastaj edhe për vetë qytetarin. E them këtë konstatim, sepse me koalicionet e tilla bllokohet në fakt vullneti i votuesve", theksoi ai. Sipas tij, koalicionet në balotazh, por edhe para balotazhit, parimisht janë të dëmshme. "Me atë formë të marrëveshjes ndërpritet vullneti i qytetarit dhe imponohet vullneti i një apo i disa personave që janë në udhëheqje. Me këtë dua të them se duke krijuar koalicion bëhet presion i madh mbi qytetarët, që ata të votojnë një kandidat a subjekt politik, që nuk e duan apo që nuk ofron zgjidhje adekuate, dhe që qytetarët mendojnë se ai nuk i zgjidh problemet dhe punët që i kanë ata si votues në demokracinë indirekte", vijoi më tej Kelmendi. "Nënshkruesit e koalicionit bëjnë presion dhe natyrisht se nuk dëgjohen nga të gjithë, por në një masë nuk del vullneti i votuesve, por në emër të votuesve del vullneti i koalicionistëve. Kjo nuk është aspak demokratike. Konsideroj se votuesit duhet të lihen të lirë, të ndjehen dhe të veprojnë e të votojnë të lirë dhe mbi ta assesi nuk duhet të bëhet presion, sepse natyrisht se edhe me ligj është e ndaluar çdo formë e presionit.... Këtu imponohen zgjedhjet e dëmshme dhe detyrohen qytetarët në veprime dhe në detyrime antiligjore, gjë që është e ndaluar. Këso koalicionesh kemi mjaft. Është në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicë, e ku nuk kemi koalicione të tilla, por shpresoj se masat votuese janë vetëdijesuar deri tani mjaftueshëm", tha Muhamet Kelmendi.

Image

 

Islamizimi i VV-së

Shumë kritik ndaj kësaj marrëveshje është edhe analisti Gani Qarri. Ai thotë se me marrëveshjen më të re, të vlerësuar edhe nga opinioni dhe njohësit e ngjarjeve politike, tashmë si kontratë puro biznesore, me prapavijë të dyshimtë, të fshehtë e hipokrite, ndërmjet Shpend Ahmetit e Rrahim Pacollit, VV-ja po dëshmon edhe një herë më tepër, se përkundër propagandës së saj të zëshme kundër segmenteve të tjera, as ajo vetë nuk zgjedh mjete, mënyrë as partner, për të ruajtur pushtetin dhe nuk u heziton as pazareve të dyshimta e kriminale, njëjtë si ato të njohura vetëm nga ish- klani "Pronto". "Qytetari i Prishtinës nuk mund ta kuptojë assesi faktin, se ç'të mirë mund t'u sjellin kryeqytetit dhe banorëve kryeqytetas, prirjet krejtësisht fetare dhe aspak kombëtare të Pacollëve, përderisa vendit i mungojnë qindra shkolla të rangjeve të ndryshme, për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e mësimit tërëditor, ata propozojnë edhe zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës, për hapjen e një qendre islamike, në vend të universitetit, sikur Kosova të mos jetë shtet laik, por qendër beduinësh dhe vetë Pacollët sheikë arabë. Sado që Behgjeti me vëllezër e kushërinj, njëjtë si kreatorët arabë dhe simpatizantët e shitur vendorë, mendojnë se janë kujdesur me kohë që të kenë bashkëpunëtorë të fortë, në organe e pozita të larta shtetërore dhe se me lidhjen e kontratës me Shpend Ahmetin dhe Lëvizjen 'Vetëvendosje', kanë gjetur partnerin e duhur për jetësimin e ideve të tyre antishqiptare, mendoj se e kanë plotësisht gabim, ngase qytetari i vetëdijshëm i Prishtinës e votuesi me ndjesi kombëtare dhe i kulturuar i kryeqytetit, ka treguar më se një herë se njerëzve të tillë, di fort mirë t'ua tregojë vendin e duhur dhe t'i ndëshkojë meritueshëm me votën e vet marrëveshjet e tilla hileqare, mashtruese dhe me premtime megalomane e të gënjeshtërta, si kjo e fundit nga VV -ja", theksoi Qarri. "Ndaj, me gjithë tentimin makabër, që të sigurojnë votat e mjaftueshme duke mashtruar, duke gënjyer dhe duke blerë ato nga qytetarët e varfër e të nëpërkëmbur, tani me paratë e AKR-s dhe klanit të Pacollëve, votuesit e vetëdijshëm nuk mund t`ia japin votën as falin besimin për udhëheqjen e kryeqytetit, atyre njerëzve, të cilët vetëm pak kohë më parë, në vend të shpalosjes së ndonjë plani prosperues për kryeqytetin, hapjen e vendpunimeve të reja dhe zhvillimit ekonomik, midis Prishtine flasin si beduinë tipikë", ka thënë ai. Balotazhi pritet me interes të veçantë, ndërsa kryetari aktual, që synon mandatin e dytë, është në panik, sepse shumica u pa në raundin e parë, se nuk e mbështet më.

 (Kosova Sot)

14 orë e 20 minuta më parë