Ligjvënësit francezë me fanela anti-Obama

  • 29 July 2015 - 11:09
 Ligjvënësit francezë me fanela anti-Obama

Një grup i ligjvënësve francezë kanë shkaktuar trazirë duke e vizituar ishullin e Krimesë së Ukrainës, të aneksuar nga Rusia. Franca dhe Ukraina janë shprehur tejet të shqetësuara për këtë veprim.

Ky grup i ligjvënësve francezë është përshëndetur me duartrokitje në Rusi, ndërsa në shtëpi me tmerr, pasi e kanë vizituar Krimenë, duke mos i respektuar sanksionet perëndimore.

Dhjetë deputetë të Asamblesë Kombëtare, që është Dhoma e Ulët në Francë, e kanë vizituar Krimenë në Detin e Zi, më 23 korrik, pasi kishin qëndruar në Moskë.

Në mars të vitit 2014, Krimeja e Ukrainës ishte anekasuar me forcë nga Rusia, shkruan REL.

Ligjvënësit kanë thënë se qëllimi i vizitës ishte ta “kuptojnë se si jeton popullata atje” dhe t’i kundërshtojnë dezinformatat e mediave evropiane” për aneksimin e Rusisë, i cili gjërësisht nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Por, kur arritën në Krime, vizitorët, shumica prej tyre anëtarë të partisë së ish-presidentit, Nicolas Sarkozy, me të shpejtë filluan ta lavdërojnë Krimenë dhe liderët e saj të nominuar nga Rusia.

Ligjvënësi i partisë Unioni Centrist (UDI), Yves Pozzo di Borgo, veçanërisht, ishte aktiv në rrjetin Twitter për ta shprehur entuziazmin e tij.

“Bregu Azur apo Krimeja”, bënte shaka me më se 5,300 mbështetës.

Zoti di Borgo, që është kryetar i grupit të miqësisë francezo-ruse në Senatin e Francës, shpeshherë ka krijuar tone lirike, që duken si nostalgji për vendlindjen e tij, Korzikë.

“Pamja e Detit të Zi të kaltërt - sikur Mesdheu me këngën e gjinkallës”, ka shkruar ai në rrjetin Twitter.

Por, entuziazmi i tij u ndërpre befasishëm më 24 korrik, me një shpjegim lakonik se delegacioni ishte “pa mobil dhe Wi-Fi” për shkak se “asnjë operatorë mobil francezë nuk vepron në këtë pjesë të botës”.

Por, një fotografi e ligjvënësit Pozzo di Borgo duke e mbajtur një fanelë me mbishkrimin që në përkthim do të thotë “Obama, jeni i neveritshëm” vazhdon të komentohet në mediat sociale.

Në Francë, autoritetet thonë se janë negativisht të befasuara.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se ishte “i shokuar” nga vizita, të cilën e ka dënuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Duke hyrë në Krime pa lejen e autoriteteve të Ukrainës, do të thotë njohje e pretendimeve për aneksimin nga ana e Moskës”, tha ministri Fabius.

Senati i Francës u ka tërhequr vërejtjen ligjvënësve që të mos flasin në emër të Asamblesë.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Ukrainës këtë vizitë, që është e para nga personalitete të njohura perëndimore prej aneksimit të Krimesë, e ka vlerësuar si të papërgjegjshme dhe ka paralajmëruar masa të mundshme të ndalesës së hyrjes së ligjvënësve francezë.