Zeqa: Dinozaurët e buxhetit

  • 11 November 2017 - 12:59
Zeqa: Dinozaurët e buxhetit

Sipas analistit Florim Zeqa, dukuria e fryrjes së Qeverisë me zv. kryeministra, ministra, zv.ministra dhe këshilltarë të pafund nuk ka të ndalur as me Qeverinë "Haradinaj". "Kosova e vogël dhe e varfër, me numrin e ministrive, zv. ministrave dhe këshilltarëve të pafund, ua kalon të gjitha qeverive të vendeve të rajonit, e madje edhe vendeve më të zhvilluara të bashkimit evropian. Bie fjala, në Itali, në shtetin me mbi 60 milionë banorë, qeveria e këtij vendi i ka vetëm 13 ministri dhe vetëm një zv.kryeministër (ministrin e Punëve të Jashtme). Ndërsa në Qeverinë e Kosovës, e kemi pothuajse dyfishin e ministrive, trefishin e zv.kryeministrave, pesëfishin e zv.ministrave dhe numrin e pafund të këshilltarëve! Sa më i gjerë koalicioni, aq më të mëdha kërkesat për punësime në Qeveri", u shpreh ai. "Pas 17 shkurtit 2008-të, të gjitha qeveritë pa dallim, për më tepër se institucioni qeverisës i vendit, ngjasojnë në ent të madh punësimi dhe shpërblimi për militantët e partive klienteliste në pushtet, punësimin e dajave e tezeve, miqve e shokëve e deri të dashnorët e liderëve partiakë, ministrave dhe deputetëve! Qeveritë megalomane të Kosovës janë shndërruar në dinozaurë të buxhetit të shtetit, duke plaçkitur gjithçka që ka mbetur nga pasuria publike e shtetit tonë", vijoi më tutje ai.

"Kësisoj, lufta për pushtet nga partitë politike po bëhet e ashpër, vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri qoftë ai edhe president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, gjyqtar, prokuror dhe avokat. Të gjithë ata të cilët i marrin këto poste të larta punësojnë në shtet, në institucionet e tij, vetëm fisin, të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij, si dhe sejmenët dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korruptuarit. Me këtë model të keq të politikës dhe logjikë uzurpuese të shtetit, politikanët me (pa) vetëdije janë duke e shkatërruar vendin dhe shpresat e qytetarëve për jetë në vendin e tyre", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)