Kapiti: Të vetinkriminuarit i rezistojnë reformës

  • 11 November 2017 - 14:33
Kapiti: Të vetinkriminuarit i rezistojnë reformës

Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën"Kosova Sot" ka thënë se në fakt sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë imanente për një Vetting të fuqishëm e përmbajtjesor e jo për reforma sipërfaqësore sa për sy e faqe dhe, sipas tij, nisma e ministrit Tahiri për të rritur buxhetin për KGJKnë e KPK-në do të duhej të jetë po ashtu një motiv më shumë për kupolat aktuale të drejtësisë për të qenë më të suksesshëm dhe më të përgjegjshëm në luftë kundër krimit e korrupsionit. Por, Kapiti thotë se derisa janë të vetinkriminuara, zor se mund të priten ndryshime cilësore në këtë drejtim, pasi që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka degraduar e është katandisur në masë dhe ky degradim nuk ka ndodhur sot, por është rezultat i sa viteve më parë e deri më sot dhe krejt kjo siç tha si rezultat i pushteteve të papërgjegjshme të pasluftës, duke mbajtur kontrollin dhe ndikimin e vet në drejtësi me njerëzit e inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion. Edhe proklamimi i ministrit Tahiri për kinse një reformë të thellë në drejtësi dhe se kinse edhe zyrtare që udhëheqin pozita të larta shtetërore të pezullohen nga puna në rast se ngarkohen me ndonjë aktakuzë për afera korruptive ose keqpërdorim të detyrës zyrtare etj., mund të jetë vetëm një pikë ujë në det, ngase sipas tij në sistemin e drejtësisë vlojnë paligjshmëritë e mëdha."Vetëm ligji për Vetting-un dhe Ligji i Dekriminalizimit do të duhej të vepronte fuqishëm për të bërë vetë- pastrimin ligjor në të gjithë sektorët e drejtësisë, në gjyqësor, në prokurori, në hetuesinë policore, në avokati etj.", potencoi Kapiti.

(Kosova Sot)