Komisioni për Arsim i rekomandon Kuvendit të mos emërojë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës

  • 29 July 2015 - 15:08
Komisioni për Arsim i rekomandon Kuvendit të mos emërojë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, shqyrtoi vendimin e Qeverisë për propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe Projektligjin për Kinematografinë.

Pas diskutimeve lidhur me propozimet për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës, komisioni, me shumicë votash, vendosi t'i rekomandojë Kuvendit të mos emërojë anëtarët e propozuar, me arsyetimin se propozimi nuk është i kompletuar ashtu siç kërkohet me ligj, duke sjell vetëm 14 propozime nga 15 anëtarë sa ka gjithsej Këshilli. Po ashtu u vlerësua se propozimi nuk përmban përfaqësim adekuat të fushave dhe institucioneve shkencore të cilat janë në përbërje të këtij këshilli.

Lidhur me Projektligjin për Kinematografinë, komisioni vlerësoi se ai i plotëson kushtet për procedim në seancë plenare dhe i rekomandoi asaj shqyrtimin e tij të parë.

(Kosova Sot)