Shpalosje jo të drejtë të shpenzimeve kapitale nga Ministria e Integrimeve

  • 29 July 2015 - 15:12
Shpalosje jo të drejtë të shpenzimeve kapitale nga Ministria e Integrimeve

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga zv.kryetari i parë, Ali Sadriu, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për vitin 2014. Për këtë çështje ishte i ftuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili dha sqarime të shumta para anëtarëve të Komisionit, pas prezantimit të raportit nga ana e përfaqësuesve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Përfaqësues të ZAP-it sqaruan se pasqyrat financiare të kësaj ministrie janë të prezantuara drejtë, me theksim të çështjes, ndërkaq shtuan se ka pasur shpalosje jo të drejtë të shpenzimeve kapitale.

Duke diskutuar lidhur me procesin e adresimit të rekomandimeve, ministri Çollaku tha se nga nëntë (9) rekomandime sa ishin gjatë asaj periudhe, katër (4) janë zbatuar, një (1) rekomandim është në proces, ndërkaq katër (4) sosh do të adresohen gjatë mandatit të tij si ministër.

Më tej, ai ka sqaruar se MIE-ja ka filluar të zbatojë të gjitha rekomandimet dhe deri në fund të vitit do të ndërmirrën masa për implementimin e tyre.

Komisioni vlerësoi se raporti i auditimit të rregullësisë për këtë ministri duhet të procedohet për diskutim edhe në seancë plenare.

Në vijim të këtij takimi Komisioni ka shqyrtuar edhe Raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare, si dhe Raportin e Auditimit të Rregullësisë së Pasqyrave Vjetore Financiare të MPB-së, pjesë e të cilit raport është edhe Policia. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Më këtë rast, Maxhuni ka theksuar se 80 për qind e këtyre vërejtjeve të asaj periudhe tashmë janë të implementuara, duke u përgjigjur me këtë rast në shqetësimet e shumta të anëtarëve të komisionit, me theks të veçantë lidhur me veturat që janë në pritje për servisim.

Krejtësisht në fund, Komisioni u dakordua që këto çështje të procedohen për diskutim në seancë plenare.

Me këtë rast, ata u dakorduan që Raporti i Auditimit të Rregullësisë për MIE-në, si dhe raportet e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare, të Policisë së Kosovës, Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Doganës së Kosovës, të procedohen për diskutim në seancë plenare.

(Kosova Sot)