Shpërthen Qemajl Mustafa: PDK po shkatërrohet, pozita e Zëvendësministrit e pavlerë

  • 29 July 2015 - 15:54
Shpërthen Qemajl Mustafa: PDK po shkatërrohet, pozita e Zëvendësministrit e pavlerë

Pas Bajram Rexhepit edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka lëshuar akuza në drejtim të udhëheqjes së PDK’së, se po e shkatërrojnë partinë. Ai ka thënë se PDK po vazhdon injorimin e kuadrove nga Gjilani derisa ka thënë se po avancohen vetëm ata që po dijnë të jargiten para shefave.

“Sa më përket mua personalisht, unë u kam dhënë rast të tjerëve në degë që të “bëhen” zëvendësministra. Nuk është në natyrën time që të vrapoj pas ndonjë pozicioni pa miratimin dhe pa interesin e atyre që dy herë më kanë fuqizuar me besimin dhe punën e tyre për kryetar të një komune të madhe”, ka thënë Mustafa, për rajonipress.

“Aq më pak është në natyrën time që pas 18 muajve të injorimit total të vrapoj pas një posti shterpë e të pavlerë të një zëvendësministri. Këtë “benefit” le ta gëzojnë ata të cilëve jargët u rrjedhin për sorollatje, për manipulime, shpifje dhe për përfitime pa punë. Të tillë fatkeqësisht, në parti e në degën tonë ka përherë”, ka shtuar ai.

I pyetur nga rajonipress se çfarë mendon ai për listën e fundit të zv.ministrave ku nuk figuron asnjë nga Anamorava, Qemajl Mustafa tha se ky respekt kaq i munguar i lidershipit të PDK për degën në Gjilan ishte i pritur sepse me vite të tëra përgjatë dy mandateve të kaluara.

“Ne nuk ishim të përfaqësuar meritueshëm dhe nuk jemi as sot në parti në qendër”, është ankuar ai.

Qemajl Mustafa thotë se Dega në Gjilan e ka humbur rrugën moti dhe ka devijue shumë dhe larg. Sidomos që nga viti 2010 e këndej.

Mustafa thotë se kushdo që e qeverisë PDK-në në qendër nuk do të ketë sukses në ditët që vijnë nëse nuk i kthehet me guxim reformës së thellë e gjithëpërfshirëse në parti.

“Nuk do të ketë sukses nëse tentohet të imponohen zgjidhje nga qendra e vendosjes sepse puna e mirë, puna e sinqertë në nivelin lokal dhe vullneti i lirë i aktivistëve shumëvjeçar nuk duron përdhunim dhe përdhosje”.

“Do të duhej sot të bëhej pyetja: ku është dega e PDK sot? Përgjigja e saktë dhe e drejtë do t’i gëzonte vetëm rivalët e degës, armiqtë e saj dhe ndonjë injorant brenda vet degës por assesi shumicën absolute të atyre që e rritën këtë degë dhe e bënë fituese disa herë”, ka deklaruar Mustafa.