Abrashi: Prishtina duhet të çlirohet prej demagogjisë e propagandës

  • 14 November 2017 - 07:52
Abrashi: Prishtina duhet të çlirohet prej demagogjisë e propagandës

INTERVISTË ME KANDIDATIN E LDK-SË PËR KRYETAR TË PRISHTINËS, ARBAN ABRASHI

Projektet serioze investive do të zhbllokohen

"Prishtina duhet të çlirohet prej demagogjisë e propagandës. Për Prishtinën duhet punë shumë, shumë punë. Dallimi thelbësor mes meje dhe kundërkandidatit tim është fakti se ai nuk ka punuar fare për punën që ia besuan qytetarët. Kurse, unë do te punoj shumë dhe do te bashkëpunoj me të gjithë e pa dallim... Unë nuk do të lejoj që në Prishtinë të instalohen grupe për interesa politike, apo të tjera. Prishtina meriton të qeveriset mirë me ligj dhe përgjegjshëm, gjë të cilën do ta bëj gjithnje. Dhe, për këtë qe po themduhet të jeni të sigurt ", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi

"Kosova Sot": Në analizën tuaj për rezultatin e rundit të parë, çka përbën përparësi e pritje reale për ju dhe çka konsideroni se eventualisht nuk janë tregues që nuk ju favorizojnë mjaftueshëm në balotazhin e 19 nëntorit?

Arban Abrashi: Ne kemi analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe kemi bërë planin për përmbysjen e këtij rezultati, që do të ndodhë më 19 nëntor. Jemi në garë të barabartë tashmë dhe mendoj se të gjithë treguesit çojnë në atë se unë do të jem fitues dhe do të shpallem kryetar i Prishtinës.

"Kosova Sot": Sa mund të ndikojë për të mirën tuaj në rezultat në balotazh fakti se LDK-ja në nivel vendi rezulton të jetë partia e parë me numër votash?

Arban Abrashi: Fakti që LDK-ja është partia më e votuar në Kosovë tregon për frymën që është krijuar për programin tonë, për lidhjen tonë. Besoj që kjo frymë do të rritet dhe do të kurorëzohet me fitoren e LDK-së edhe në Prishtinë dhe shumë komuna të tjera.

"Kosova Sot": Me moshë i takoni gjeneratës së re politike, ashtu si edhe rivali juaj. Ku është ndryshimi thelbësor mes jush për kryeqytetasit që kanë shumë pritje nga kryetari i ardhshëm i Prishtinës ? Çka ju dallon ju esencialisht nga Shpend Ahmeti dhe çka konkretisht do të veproni ndryshe nga Shpend Ahmeti për të sjellë ndryshimin?

Arban Abrashi: E kam thënë edhe në të tjera raste se me mua kryetar qytetarët e Prishtinës nuk do të shohin në 'Facebook' një Prishtinë tjetër prej asaj që e shohin përditë, ngado që shkojnë. Prishtina duhet të çlirohet prej demagogjisë e propagandës. Për Prishtinën duhet punë shumë, shumë punë. Pra, dallimi thelbësor mes meje dhe kundërkandidatit tim është fakti se ai nuk ka punuar fare për punën që ia besuan qytetarët. Kurse, unë punoj shumë dhe bashkëpunoj me të gjithë e pa dallim. 

Komuna u shndërrua në byro punësimi

"Kosova Sot": A e ka kapur krimi i organizuar Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu?

Arban Abrashi: Duke qenë se e kanë qeverisur komunën më të madhe të vendit, e kanë kthyer në byro punësimi për militantët e tyre nga të gjitha anët e Kosovës, por duke anashkaluar qytetarët e Prishtinës, të cilët është dashur që të kenë prioritet, pasi i takojnë kësaj komune. Pra, Komuna nuk është kapur nga Shpendi, por nga vetë partia "Vetëvendosje."

"Kosova Sot": Gjatë mandatit të Shpend Ahmetit lejet ndërtimore janë shitur me shumicë. A do të shitni edhe ju leje ndërtimore, apo cila do të jetë qasja juaj personale ndaj shitjes me para të lejeve të ndërtimit, si dhe bllokimit të dhënies së lejeve ndërtimore me urdhër të nëntokës kriminale në Prishtinë, siç kanë vepruar treshja Shpend Ahmeti&Dardan Sejdiu&Liburn Aliu?

Arban Abrashi: Jo, në asnjë mënyrë nuk do të shes dhe as të bllokoj pa ligj leje. Përkundrazi, do të mundohem që të gjithë ata që aplikojnë për çfarëdo leje dhe që i plotësojnë kriteret e kërkuara me ligj e sipas rregulloreve në fuqi do të pajisen shpejt me to. Por, nëse dikush ka shitur leje, siç thoni ju, ky rast apo rastet duhet të denoncohen në hetuesi.

"Kosova Sot": Ju e keni shpalosur një program për votuesit, por ndoshta jo të tërin. A mund të ndaleni te pjesët kryesore të tij, që përbëjnë ndryshimin e vërtetë për Prishtinën. Si planifikoni t'i realizoni projektet zhvillimore në përgjithësi, duke sjellë edhe frymën zhvillimore e ligjore, por si planifikoni t'i mbështetni projektet zhvillimore private në tokën dhe në të drejtën e tyre, duke eliminuar bllokadën e kundërligjshme, gjë që është bërë nga qeverisjet e mëhershme komunale, por sidomos gjatë katër viteve të qeverisjes së Shpend Jahtit dhe VV-ja?

Arban Abrashi: Programin e kemi shpalosur të tërin për të gjithë qytetarët në zbatim të ligjit . Është i realizueshëm. Siç e keni parë, programi im mbulon të gjitha lagjet me projekte për të gjithë mandatin. Pjesa kryesore është e strukturuar në zhvillim ekonomik të kryeqytetit, në zonën e ekonomike të saj, që hapjen e 30 mijë vendeve të punës, në ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, fondin e punësimit, për të rinjtë dhe të rejat, për gratë, për trafikun mulitmodal, hapësirat gjelbëruese, për më shumë kulturë dhe sport që duhet t'i kthehen Prishtinës.
Të hapur për partneritet politik në Asamblenë Komunale

"Kosova Sot": LDK-ja në zgjedhje për herë të parë rezultoi e dyta në Asamblenë Komunale. Po qe se e fitoni balotazhin, sa do të jetë pengesë për ju gjatë udhëheqjes për të sjellë ndryshimin për qytetarët dhe kryeqytetin?

Arban Abrashi: Me mua kryetar askush nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin e Prishtinës, sepse nuk do të ketë asnjë arsye. LDK-ja është e përfaqësuar mirë në Kuvendin Komunal dhe ne nuk jemi sikur "Vetëvendosje". Unë dhe LDK-ja jemi të gatshme për bashkëpunim me të gjithë asamblistët e Prishtinës, pavarësisht se cilës parti i takojnë. 

"Kosova Sot": Ju duhen edhe votat e rivaleve që nuk kaluan rundin e parë që ta mundni Ahmetin e degraduar në Prishtinë. A jeni duke negociuar me ta apo është çështje negociatash në nivelin partiak, apo fitoren e kërkoni përmes edhe një oferte të re shtesë për kryeqytetasit tani në balotazh, duke zgjuar nga gjumi edhe votuesit që më 22 tetor mendonin se nuk kishin kë ta votojnë, a do të provoni të dilni e të shkoni edhe përtej elektoratit aktual të LDK-së?

Arban Abrashi: Fitoren që do ta realizoj më 19 nëntor do ta bëj bashkë me qytetarët e Prishtinës. Besoj se elektorati, jo vetëm i LDK-së, tashmë e kanë ndarë mendjen që të më votojë mua për kryetar. Do të kenë shumë arsye për ta bërë këtë. Unë mendoj se e kam projektin më të mirë për qytetarët e Prishtinës. Madje shumë më të avancuar se programi i kundërkandidatit tim që po kërkon krahë për Prishtinën e të cilët nuk i ka . Prandaj, unë do të mbështes çdo ide të mirë dhe të realizueshme, pavarësisht prej kujt do të vijë. Programi im është hartuar në bazë të kërkesave që i kanë dhënë vetë qytetarët e kryeqytetit. 

Urbanizmi, sektori më problematik

"Kosova Sot": Cili është sektori më problematik në Prishtinë, sipas jush?
Arban Abrashi: Sektori i Urbanizmit, planifikimi dhe ndërtimi. Ky sektor duhet të rregullohet në mënyrë që Prishtina të marrë drejtim të qartë të zhvillimit ekonomik e urbanistik. 
"Kosova Sot": Së fundmi, u procedua nga Qeveria Ligji për Prishtinën. A ishte ky potez elektoral apo lëvizje serioze? Cilat janë vërejtjet tuaja për këtë ligj?

Arban Abrashi: Prishtina është dashur ta ketë ligjin dhe është mirë që është proceduar në fund në Kuvend. Ky ligj do t'i garantojë Prishtinës më shumë buxhet, më shumë kompetenca. Deputetët e LDK-së dhe unë do të kujdesemi që ky ligj të jetë sa më lehtë i zbatueshëm. 

"Kosova Sot": Ju e dini se në fund të mandatit Komuna shpalli shprehje interesi për koncesionim të pronës publike në pesë projekte të mëdha. Ka dyshime të bazuara se këtu mund të përfitojnë biznese të lidhur me VV-në, në jahtet e "kthetrat" e të cilëve është parë Shpend Ahmeti për më shumë se 4 vjet. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre projekteve jo transparente me tjetërsimin e pronës publike, bile goxha sigurt edhe kriminale e tepër të dëmshme dhe ku krimi i organizuar do të përfitonte qindra miliona ose edhe një miliardë euro? A duhet lejuar këtë veprim kriminal dhe pse do të duhej të ndodhte kjo!?

Arban Abrashi: Asnjë projekt që ka lidhje me çfarëdo grupi të dyshimtë nuk mund të kalojë në Prishtinë. Unë nuk do të lejoj që në Prishtinë të instalohen grupe për interesa politike, apo të tjera. Prishtina meriton të qeveriset mirë dhe përgjegjshëm, gjë të cilën do ta bëj. Dhe për këtë të jeni të sigurt.

(Kosova Sot)