Arban Abrashi përmend tenderët që Shpend Ahmeti i ka dhënë njerëzve të partisë

  • 14 November 2017 - 21:43
Arban Abrashi përmend tenderët që Shpend Ahmeti i ka dhënë njerëzve të partisë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka akuzuar kundërkandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar aktual i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, për dhënie të tenderëve për njerëz të partisë së tij.

"Kemi numër të madh të tenderëve të cilët jepen për familjarë, apo për asamblistë, apo për kandidatë për deputetë të subjektit politik Vetëvendosje", ka thënë Abrashi në intervistë televizive në të cilën nuk është paraqitur kundërkandidati i tij anipse është ftuar.

"Pa dashur të përmend emra... është kompania që ka renovuar apo rindërtuar 'Kurrizin', e cila është pronë e njërit prej kandidatëve për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje", ka treguar ai.

"Ajo vazhdimisht merr tenderë. Sikur në 'Kurriz', në sheshin 'Luan Haradinaj', e në sheshe të tjera", ka shtuar Abrashi.

"Ose, kompania në të cilën ka punuar një drejtor për vite me radhë merr shuma të tenderëve të cilat kalojnë vlera miliona euroshe", ka thënë kandidati i LDK'së.

Abrashi po ashtu ka thënë se Komuna e Prishtinës gjatë qeverisjes së Ahmetit karakterizohet edhe nga nepotizmi i lartë. 

(Kosova Sot)