'Vendimi i Kuvendit për Specialen është fuqiplotë dhe nuk mund të riprocedohet'

  • 29 July 2015 - 18:17
'Vendimi i Kuvendit për Specialen është fuqiplotë dhe nuk mund të riprocedohet'

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media kanë thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar miratimin e Amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Nenin 162).

Ja komunikata e plotë e tyre:

Ky vendim i Kuvendit të Republikës i bazuar në votën e lirë të deputetëve sipas përgjegjësisë së tyre, është legjitim, fuqiplotë dhe i pandryshueshëm. Ai është i detyrueshëm për të gjithë.

Cilado tendencë e Ekzekutivit për ta riproceduar dhe rivotuar këtë Amendament është shkelje e papranueshme e parimit bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.

Kjo e rrezikon pakthyeshmërisht integritetin institucional të vendit dhe fuqinë e vendimeve të organit më të lartë legjislativ në vend, Kuvendit. Njëkohësisht paraqet shkelje të votës së lirë të deputetëve.

Kundërshtimi i themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmes këtij Amendamenti kushtetues është i drejtë, legjitim dhe në mbrojtje të drejtësisë universale dhe sovranitetit të Republikës e integritetit institucional të saj.

Një mbrojtje e tillë e integritetit institucional dhe parimeve universale karshi drejtësisë selektive është detyrë e secilit deputet pavarësisht subjektit që i përket a qëndrimit të tyre politik karshi çështjes. Aq më tepër bëhet e rëndësishme në këtë kohë të shpërfilljes flagrante që Ekzekutivi po ia bën autonomisë së Legjislativit dhe vendimeve të tij.

Deputetët e Kuvendit të Republikës që e kanë kundërshtuar Amendamentin kushtetues kanë vendosur drejt sepse kanë vendosur për Republikën e Kosovës si shtet sovran, për drejtësi universale dhe për barazi para ligjit.

Ky vendim është në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe në përputhje me interesat e tij. Ky vendim është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm drejt kthimit të institucioneve të Republikës kah interesat publike e shtetërore kundër nëpërkëmbjes e imponimit.

Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë nevojë për deputetë që e mbrojnë atë dhe ia mbrojnë interesat atij, për deputetë që punojnë për qytetarët dhe në të mirë të tyre. Kuvendi i Republikës do të ketë nevojë përherë për deputetë të tillë.