Ndryshime kozmetike për Prokurorinë

  • 17 November 2017 - 08:28
Ndryshime kozmetike për Prokurorinë

Projektligji për Prokurorinë e Shtetit, që u miratua në Qeveri dhe u procedua tutje në Kuvendin e Kosovës, përfshin në përgjithësi çështje organizative, funksionale dhe ligjore, që drafti do t'i adresojë dhe do të shërbejë si instrument i performancës më të mirë të prokurorit të Shtetit, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë, analistët dhe njohësit e fushës së drejtë- sisë, thonë se ligje ka mjaft, por mungon zbatueshmëria e tyre. Porse, a do ta depolitizojë Qeveria Prokurorinë apo do të vazhdohet një- soj me sistem të drejtësisë të kontrolluar, përmes ligjeve të reja? Ministria e Drejtësisë ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se Ligji bazik për Prokurorinë e Shtetit, i miratuar në vitin 2010 dhe i cili ka hyrë në fuqi tre vjet më vonë, kur ka ndodhur riorganizimi i sistemit gjyqësor dhe atij prokuroria, e që si një pako legjislative reformuese kishte hyrë në fuqi në vitin 2013, ishte ndryshuar dhe plotë- suar në vitin 2015, si domosdoshmëri e riorganizimit të sistemit prokurorial, ripërcaktimit të përgjegjësive të Kryeprokurorit të Shtetit, ridefinimit të kushteve të përgjithshme dhe specifike për t'u emëruar prokuror, dhe përcaktimit të aspekteve të tjera të mandatit të tyre, etj.

Image

 

Performanca, përcaktuese për emërim

Tutje, MD-ja thotë se tani nën dritën e këndelljes funksionale dhe organizative, është e nevojshme të ndryshohet dhe të plotësohet me qëllimin e vetëm të rritjes së efikasitetit të punës së sistemit prokurorial dhe veçanërisht Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me institucionet bartëse të këtyre përgjegjësive, si dhe partnerët tanë zhvillimorë, do të propozojmë ndryshimet e mëposhtme: " 1. Me Projektligjin e ri, definohet dhe përcaktohet qartë përgjegjësia e Kryeprokurorit të Shtetit në hetimin dhe ndjekjen penale si pjesë e ushtrimit të funksioneve prokuroriale, po ashtu, 2. Kryeprokurorit të Shtetit i shtohet përgjegjësia ose kompetenca për t'i propozuar Këshillit Prokurorial të Kosovës transferimin e përkohshëm të prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, sipas nevojave dhe ngarkesës me lëndë në këtë Prokurori. Transferimi i prokurorëve sipas këtij paragrafi mund të bëhet për periudhën 1- vjeçare, me mundësi vazhdimi më së shumti edhe për (një) 1 vit. Transferimi i përkohshëm i prokurorëve, nënkupton qasje fleksibile ndaj punës, për realizimin sa më efikas të saj", thuhet në tej në shpjegimin e MD-së. " Së treti, po ashtu, parashihet edhe e drejta e Kryeprokurorit të Shtetit që të caktojë me vendim prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për të mbështetur Kryeprokurorin e Shtetit në ushtrimin e kompetencave të tij mbikëqyrëse dhe administrative. 4. Tjetër segment i rëndësishëm praktik, për kushtet minimale për të ushtruar funksionin e prokurorit të Shtetit, është edhe zbutja e kriterit të përvojës prej tre vjetëve për të ushtruar funksionin e prokurorit në Departamentin për Krime të Rënda apo në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore. Sipas këtij Projektligji, është e mjaftueshme që kandidati duhet të ketë mandat të përhershëm si prokuror dhe vlerësim pozitiv të performancës. Një kërkesë e tillë ka ardhur si nevojë e domosdoshme e institucioneve përgjegjëse, me qëllim të realizimit efikas të detyrave dhe përgjegjësive ligjore", thekson Ministria. "Së pesti, sikurse edhe për të ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kandidati mjafton t'i plotësojë kushtet për të punuar si prokuror në Departamentin për Krime të Rënda, si dhe të ketë vlerësimin pozitiv të performancës, por jo edhe të ketë 6 vjet prej të cilave 4 vjet pune si prokuror në Departamentin për Krime të Rënda. 6. Një segment i përgjegjësisë administrative që i takon Këshillit Prokurorial, është hequr/larguar si përgjegjësi e Kryeprokurorit të Shtetit, p.sh. kujdesi që prokuroritë të kenë staf të mjaftueshëm administrativ dhe buxhet të nevojshëm. 7. Po ashtu, është hequr edhe përgjegjësia e përcaktuar në ligjin ekzistues për të drejtën e Kryeprokurorit që të marrë në kompetencë secilën lëndë me kërkesë apo pajtim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Image

 

MUNGESA E LLOGARIDHËNIES, ZBEH LIGJIN

Analisti Naim Miftari ka veçuar se depolitizimi i Prokurorisë nuk do të bëhet kurrë përderisa, siç tha, do të kemi kësi lloj politikanësh dhe zyrtarë shtetërorë që pushtetin e llogarisin vetëm mundësi për t'u pasuruar sa më shpejt që të munden. Sipas tij, mënyra e të menduarit dhe veprimit të tillë nuk do të sjellë asnjëherë depolitizim të Prokurorisë dhe përgjithësisht organeve të drejtësisë dhe atyre të sigurisë. " Mosllogaridhënia e politikanëve të korruptuar dhe të pasuruar në mënyrë të paligjshme para ligjit tregon se edhe ligji është i mbuluar me njerëz të korruptuar dhe zyrtarë që janë sjellë aty pikërisht nga politika e korruptuar e shtetit dhe partitë politike. Prandaj, derisa të ekzistojë ky sistem i politikanëve të lidhur me nëntokën dhe zyrtarë shtetërorë që vetë janë pjesë e nëntokës, ligji nuk do t'i dëmtojë asnjëherë, sidomos 'peshqit e mëdhenj' të korrupsionit nuk do të preken nga ndikimi i ligjit, pasi ligjin nuk ka kush ta implementojë dhe ta zbatojë siç duhet", u shpreh ai. "Realisht, ligji sot vepron vetëm kundër qytetarëve që nuk kanë mbështetje politike ose janë qytetarë të thjeshtë. Një Vetting në politikë do të pastronte edhe sistemin e drejtësisë dhe tërë aparatin shtetëror, i cili është i infektuar me virusin e korrupsionit dhe krimit të organizuar", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Image

 

SUNDIMI I MAFIO-OLIGARKISË

Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Projektligji i dërguar në Kuvend me siguri me disa përmirësime do të aprovohet, por, siç tha, ky ligj nuk e rregullon Prokurorinë."Mendoj se vetëm e keqëson edhe më shumë gjendjen në Prokurori.Përndryshe, gjendja në Prokurori dhe në gjykata, pa e nxjerr një ligj mbi Vetting-un, nuk do të kemi spastrim të institucioneve të drejtësisë.Vazhdimi do të mbetet i njëjtë. Në Prokurori dhe në gjykata vazhdon i njëjti avaz, ai i kapjes së pushtetit të drejtësisë nga politika, dhe asgjë më shumë.Kjo edhe për faktin se në sistem të tillë ka shumë vështirësi.Ato janë nga e kaluara e bartësve në Prokurori dhe në gjykata.Natyrisht se kemi edhe veprime korruptive dhe kriminale", u shpreh ai."Ky sistem kërkon spastrim të përgjithshëm mbi bazën e kualitetit dhe të një etike, ku punohet vetëm mbi bazën e ligjit.Këtu dhe në këtë anë nuk ka fare moral, e morali krahas dijes dhe kualifikimit është domethënës në drejtësi", potencoi Profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

Image

 

SUNDIM I MAFIO- OLIGARKISË, KRIMIT E KORRUPSIONIT

Analisti Skënder Kapiti thotë se ligje të mira janë ato të cilat miratohen në Kuvendin e Kosovës, por kjo, siç tha, është vetëm forma dhe trajta formale e tyre, derisa, sipas tij, edhe në Shqipëri ligje ka shumë, e deri me qindra e mijëra, por ama moszbatueshmëria e tyre nga ana e organeve dhe individëve të legjislativit, i cili i miraton, moszbatimi i tyre nga ana e ekzekutivit, Qeverisë dhe interpretimi i korruptuar dhe me shumë standarde nga ana e Prokurorisë dhe gjyqtarëve, kjo përbën atë që quhet falimentim, degradim dhe korrupsion i ngritur në sistem." Pra, kur sistemi i drejtësisë dhe politika urdhëruese dhe përzgjedhëse e tij bën trafikimin e së drejtës dhe vetëgjyqësinë, gjendja në atë shtet dhe shoqëri është më e keqe se edhe anarkia.Kjo do të thotë se aty sundon mafio- oligarkia e krimit, korrupsionit dhe e paligjshmërisë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Skënder Kapiti.

(Kosova Sot)