Berisha mungon në seancë, Rama: Silleni, u mërzitëm. Vetëm Saliu e ngre…

  • 18 November 2017 - 09:12
Berisha mungon në seancë, Rama: Silleni, u mërzitëm. Vetëm Saliu e ngre…

Ish-kryeministri Sali Berisha, një nga deputetët më aktivë të Kuvendit, ka munguar për herë të parë që nga nisja e këtij sesioni parlamentar në një seancë plenare.

Mungesa e Berishës është vënë re nga listat e diskutantëve të regjistruar për të folur dje për projektbuxhetin e vitit 2018. Edhe në seancat e kaluara, emri i Berishës ka munguar te folësit e regjistruar në Parlament, por për të është gjetur një mundësi që të ishte pjesë e diskutimeve.

Burime pranë Berishës bënë të ditur se mungesa e tij lidhet me një udhëtim që ai ka ndërmarrë jashtë shtetit. Arsyet e udhëtimit, sipas të njëjtave burime, janë private dhe jo për angazhime politike. Por dje mungesa e Berishës ka rënë në sy, madje prania e tij është kërkuar edhe nga rivali politik.

Kryeministri Edi Rama, pasi e ka përmendur Berishën thuajse në çdo replikë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar që ishkryeministri të vinte në seancë. Gjatë replikave pa mikrofon, Rama i ka kërkuar Edi Palokës, nënkryetarit të Kuvendit, që të thërriste Berishën në Parlament.

“O Edo, sill Saliun këtu se u mërzitëm. Sill bacën ta ngrej nivelin e debatit, ta çojë lart”, tha Rama duke qeshur. Por demokratët i janë përgjigjur Ramës se ish-kryeministri ishte duke ardhur. “Do vijë? Shumë mirë”, tha Rama duke qeshur. Por ish-kryeministri, edhe pse mungoi në seancën më të rëndësishme, atë të debatit të projektbuxhetit të vitit 2018, ka qenë aktiv në faqen e tij në Facebook.

Ai ka komentuar me postime në Facebook, duke denoncuar zv.drejtorin e Policisë së Gjirokastrës se ka qenë i dehur dhe ka bërë aksident në rrugën Plepa-Shkozet.

Po ashtu, ka publikuar listën e familjarëve të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, që sipas tij kanë grabitur tokat në plazhin e Spillesë. Gjithashtu ka denoncuar edhe rritjen e çmimit të ujit në qytetin e Tiranës.

 (Kosova Sot)