Nuk dihet se kur dialogojnë sërish Mustafa dhe Vuçiq

  • 29 July 2015 - 21:56
Nuk dihet se kur dialogojnë sërish Mustafa dhe Vuçiq

Ekipet e ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi do të takohen javën e ardhshme në Bruksel për të vazhduar bisedimet mbi sigurimet e automjeteve, por data e vazhdimit të dialogut mes dy kryeministrave mbetet ende e papërcaktuar, ka thënë Maja Kociajncic, zëdhënësja e Federica Mogherini-t, përfaqësueses së Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë.

“Të dyja palët do të diskutojnë elementet që e bënë marrëveshjen të mos zbatohet”, ka thënë Kocijancic për gazetarët, mirëpo nuk e ka specifikuar datën e vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, sepse, siç ka thënë ajo, përgatitjet janë ende në vazhdim.

Më herët Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se grupi i ekspertëve do të takohet me 5 gusht, dhe se marrëveshja për sigurimet do të jetë tema e vetme e takimit.

Kjo marrëveshje e cila i liron pronarët e automjeteve nga pagesat e sigurimit kur kalojnë kufijtë administrativë, është nënshkruar në muajin qershor dhe do të duhej të fillonte së zbatuari me 24 korrik.

Tani për tani nuk dihet se kur do të vazhdojë dialogu i nivelit të lartë politik mes kryeministrit kosovar Isa Mustafa dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.