Arabia Saudite akuzon Hezbollahun për trafik droge dhe pastrim parash

  • 18 November 2017 - 11:23
Arabia Saudite akuzon Hezbollahun për trafik droge dhe pastrim parash

Ministri saudit i Punëve të Jashtme akuzoi sot në Madrid, Hezbollahun se po mban peng Libanin, duke përdorur portet e saj për trafik droge dhe bankat për pastrim parash. Kryeministri libanez, Saad Hariri njoftoi dorëheqjen në mënyrë të papritur më 4 nëntor në televizionin saudit, duke dënuar kontrollin e kësaj milicie, që është pjesë e qeverisë, në jetën politike në Liban.

“Nuk është e mundur që një milici e armatosur të veprojë jashtë kontrollit të qeverisë”, deklaroi ministri saudit, Adel al-Joubeir pas një takimi me homologun spanjoll, Alfonso Dastis.

“Ne e shohim Hezbollahun duke përdorur sistemin bankar libanez për të pastruar paratë, portet e vendit për trafik droge, ne e shohim të drejtojë aktivitetet terroriste dhe të ndërhyjë në Siri, në Bahrein dhe në Jemen”, pohoi ai.

“Nëse Hezbollahu nuk çarmatoset dhe nuk bëhet një parti (në kuptimin e plotë) politike, Libani do të jetë peng i Hezbollahut dhe për rrjedhim i Iranit. Kjo nuk është e pranueshme as për ne, as për libanezët”, shtoi kreu i diplomacisë saudite.

 (Kosova Sot)