Serwer: Trump urgjentisht të veprojë dhe ta ruajë paqen në Ballkan

  • 18 November 2017 - 13:02
Serwer: Trump urgjentisht të veprojë dhe ta ruajë paqen në Ballkan

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump duhet urgjentisht të veprojë që ta ruajë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, shkruan analisti amerikan Daniel Serwer në botimin më të ri të revistës së Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Në tekstin, të cilin e transmeton "Zëri i Amerikës", thuhet se eksperti për Evropën Juglindore i parashtron opsionet për zgjidhjen e gjendjes së brishtë poltiike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Serwer si një nga shkaqet kryesore për këtë jostabilitet e konsideron involvimin e Rusisë, për të cilën thekson se nuk dëshiron zhvillim properëndimor dhe prodemokratik të kësaj pjese të Evropës. Ai theksoi se për rekomandimet e tij janë informuar edhe Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë.

Serwer angazhohet për intervenim të përforcuar diplomatik perëndimor dhe intervenim ekonomik, me qëllim që të pengohet kaosi eventual në Ballkan.

Sipas tij, duhet të ekzstojë angazhim shumë më aktiv i SHBA-së sesa deri tani.

"Kjo do të ishte inicativë e re amerikane, por në sferën e vetëm disa çështjeve më të rëndësishme, duke e përfshirë edhe reformën kushtetuese në BeH, statusin e Kosovës dhe çështjen për emrin e Maqedonisë", shkrtuan Serwer.

"Zëri i Amerikës" thekson se sipas vlerësimit të Serwerit, dy caqe më të lehta për involvimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë Republika Sërpska dhe Maqedonia.

"Rusia do të bëjë absolutisht çmos që ta pengojë hyrjen e Maqedonisë në NATO, siç luftonte kundër anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancë, ndërsa Republika Sërpska do të ndërmerr gjithçka që duhet që Milorad Dodik asnjëherë të mos lejojë asnjë propozim për konsolidim kushtetues të BeH-së", vlerëson Serwer, duke shtuar se SHBA-ja duhet këtë ta ndryshojë.

Ai vlerëson se edhe Kongresi duhet të luajë rol më energjik kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.

"Me rëndësi është se diplomatët amerikanë, posaçërisht ambasadorët tanë në rajon, kanë ndjenjë se Kongresi qëndron pas tyre. Pas largimit të adminustratës së Barak Obamës dhe arritjes së qeverisë së Donald Trumpit, diplomatët tanë nuk ishin të sigurtë nëse Kongresi do t'i përjkrah. Shpresoj se shkrimi im do të jetë i dobishëm në këtë pikëpamje", shkruan Serwer.

Ai në fund propozon edhe emërimin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor me detyrë që të kryejë vlerësim për suksesin dhe mungesat në zbatimin e marrëveshjeve paqesore në BeH dhe në Kosovë, si dhe të ofrojë rekomandime konkrete për politikën e mëtejshme amerikane gjatë zgjidhjes së ngecjes aktuale në EJL. 

 (Kosova Sot)