VV-ja u fundos në krim të organizuar, duhet një forcë e re politike

  • 18 November 2017 - 07:35
VV-ja u fundos në krim të organizuar, duhet një forcë e re politike

Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve nacionale të qershorit, por edhe raundit të parë të zgjedhjeve për nivelin lokal të 22 tetorit, analistët politikë nuk presin mobilizim të madh të daljes së qytetarëve në balotazhin e ditës së nesërme, si pasojë e zhgënjimit në këto parti politike. Pavarësisht premtimeve fantastike për zhvillimin ekonomik dhe punësimet, nga kandidatët për kryetar komunash në garën për balotazh, analistët nuk besojnë që qytetarët të jenë bindur se do të realizohen ato premtime. Ndryshimi, sipas tyre, mund të bëhet vetëm nga dalja në skenën politike të vendit e alternativave të reja, me figura të pakorruptuara dhe të pakonsumuara, sepse këto struktura politike të të gjitha partive në Kosovë nuk do të sjellin asgjë të re këtë të diel për qytetarët kosovarë, por ata që do të përfitojnë do të jenë vetë politikanët dhe mafio-oligarkët e nëntokës, që realisht po e sundojnë këtë popull dhe këtë shtet. Sipas analistëve, kjo bindje negative është krijuar te qytetari, ngase po shihet edhe nga populli se të gjitha partitë kosovare, pa asnjë dallim, për shefa i kanë vëllezërit e korporatës së tej inkriminuar DEVOLLI. Emëruesi i përbashkët është financimi i hapur dhe i fshehur nga majat e krimit të organizuar në vend, që i bie nga vëllezërit e tej inkriminuar Devolli dhe jo vetëm, kurse kësaj valle të krimit të organizuar po i prin haptas në këto zgjedhje komunale pikërisht edhe kreu i komunës së Prishtinës nga VVja, Shpend Ahmeti, i cili edhe u fotografua në jahtin e tyre në Budvë. Analistët theksojnë se mbi një njëri të tillë duhet të bjerë vota e ndëshkimit, sepse nuk ka se çfarë të pritet nga një kryetar i tillë i kryeqytetit, kur e tëra me çka ai merret është matematika mashtruese ndaj qytetarëve dhe lidhja e tij kriminale me "nëntokën dhe mafinë", në krye të së cilës vazhdojnë të prijnë vëllezërit Devolli me shoqëritë e tyre të tej inkriminuara të lidhura kriminalisht edhe me të gjithë pushtetarët e lartë në Komuna dhe në të gjitha institucionet pa dallim në nivel vendi. Në pyetjet e gazetarit të gazetës "KOSOVA SOT", si zakonisht, përgjigje nuk kanë kthyer as kryetari Shpend Ahmeti, e as vëllezërit Devolli.

Image

Politika, si mundësi zhvatjeje

Sipas publicistit Skënder Mulliqi, në Kosovë krejt pas luftës inkuadrimi në politikë është kuptuar si gjëja më përfituese. "Erdhën në krye gjithfarë matrapazësh e zhvatësish, të cilët kanë grabitur çdo të mirë shoqërore, duke e sjell vendin në kolaps. Zor se gjen në rajon e më gjerë këtë soj garniturash politike dhe ekonomike si në Kosovë, të cilët pa fije mëshire vjedhin dhe plaçkitin gjithçka para vetit. Me këtë logjikë përfituese dhe më këta njerëz të cilët kanë qenë dhe të cilët po vijnë në krye të pushteteve lokale më disa përjashtime, qytetarët i pret zhgënjim edhe më i madh. Është për t'u çuditur së si ndëshkimi më votën e lirë karshi të gjithë keqbërësve ende nuk është në nivelin e duhur. Edhe pa pastrimin e listave të partive politike nga elementet kriminale dhe korruptive nuk do të kemi as pushtete lokale as qendrore në nivelin e kërkuar", u shpreh ai."Po bëhet luftë e pakompromis edhe brenda subjekteve politike, se cili duhet ta drejtojë komunën, se cilët do të jenë drejtorët e drejtorive se cilët duhet të jenë ata njerëz të cilët i marrin tenderët, cilët do të merren me punët e mbindërtimeve, punësimeve të të afërmve dhe militantëve partiakë, duke marrë ryshfete te majme nga njerëzit e varfër për një vend të punës ku paga nuk arrin as në 200 euro etj.", theksoi Mulliqi. Sipas tij, vrapimi pas pushtetit po bëhet edhe për faktin se pushtetarët po lidhen më biznesmenët e ndryshëm jo vetëm sa për t'ua lagur atyre fytin ,por që t'i vazhdojnë allishverishet biznesore te ndryshme te jashtëligjshme, duke u pasuruar kështu në pafundësi. "Kjo vlen edhe për Prishtinën si kryeqendër që është. Ahmeti si shumë kolegë të tij në komuna të Kosovës ka premtuar shumë, e ka bërë pak dhe ka përfituar materialisht ai me një grup njerëzish", potencoi ai.

Kadriaj: Vetëm me daljen masive në zgjedhje do të ndëshkohen mashtruesit

 Mustafë Kadriaj tha për "Kosova Sot" se vetëm me daljen masive në zgjedhje dhe duke ndëshkuar mashtruesit, do të ristrukturohej dhe do të pastrohej më shpejt kjo skenë e kriminalizuar politike dhe vetë institucionet e shtetit. "Për katër vite të qeverisjes po e zhvatin buxhetin e Kosovës, derisa për një muaj fushatë po gënjejnë dhe po ia marrin votën prapë qytetarit. Se sa ka shpresë për ndryshime nuk jam optimist, sepse nuk ke çka zgjedh", tha analisti Mustafë Kadrijaj.

Image

KAPITI: VV-JA E DËSHPËROI QYTETARIN

Analisti Skënder Kapiti thotë se derisa korrupsioni gjithë- institucional në Kosovë është bërë edhe social, pra është infektuar rëndë edhe shoqëria, ajo pjesë e shoqërisë, e cila nuk është e korruptuar do të duhej të dilte masovikisht në zgjedhje për ta ndëshkuar dhe nuk duhet të kalojë në indiferentizëm e pasivitet."Pra, ajo duhet të marrë pjesë në votim këtë të diel për ta ndëshkuar me votë masive qeverisjen aktuale Ahmeti&Company. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja dhe sa më i thellë të jetë ndëshkimi për keqqeverisjen aktuale, aq më shumë do të jetë presioni për ta vënë në binarët e ligjit dhe të moskorruptimit pushtetin e ardhshëm, sepse mafia korruptive dhe e krimit e ka shumë frikë ndëshkimin me votë dhe ligjin e zbatimin e tij", u shpreh ai."Indiferentizmi qytetar në zgjedhje dhe mospjesëmarrja në votim është së pari në dëm të vetë qytetarëve. Në demokraci janë zgjedhjet ato të cilat e shërojnë politikën dhe qeverisjen, gradualisht. Qytetarët nuk duhet të bien në pesimizëm dhe në mosbesim, por të aktivizohen dhe me votë ta ndryshojnë qeverisjen e Prishtinës, sepse nesër është e kotë që t'i bien pishman", vijoi më tutje ai."Në Kosovë duhet të dalë në skenën politike një forcë politike e jashtë këtij sistemi, gjë të cilën e pati premtuar "Vetëvendosje", por të cilën e fundosi qeverisja e saj në Prishtinë me shembullin e korrupsionit të lartë, me krimet me lejet e ndërtimit, në bashkëbiznesin me bizneset e ndërtimit, me pronën publike dhe me tenderët korruptive ,me shpërdorimet dhe abuzimin me paranë publike", tha Kapiti për "Kosova Sot".

 GRAPCI: DALJA E QYTETARËVE NË KËTO ZGJEDHJE ËSHTË NJË HAP DREJT NDRYSHIMIT TË POLITIKËS SË SHPEND AHMETIT DHE VV-SË

Analisti Dardan Grapci pret dalje të madhe në balotazh. "Unë pres që të gjithë qytetarët e Prishtinës, por edhe nga ato komuna që janë në BALOTAZH të dalin sa më shumë në zgjedhje. Sa i përket Prishtinës, dalja e qytetarëve në këto zgjedhje është një hap drejt ndryshimit të politikës së Shpend Ahmetit dhe VV-së, ku janë në bashkëpunim me vëllezërit DEVOLLI. Dalja e qytetarëve të Prishtinës në këto zgjedhje nënkupton largimin e VV-së nga skena politike dhe ardhja e një ndryshimi, i cili është Arban Abrashi nga LDK-ja. Prandaj, uroj që qytetarët të fillojnë të mendojnë se kë ta votojnë më 19 nëntor, sepse kur një herë votohet s'ka kthim mbrapa, duhet të presin 4 vjet", tha Grapci. Megjithatë, për të pasur një qeverisje shumë më të pastër ai e sheh të domosdoshme daljen e alternativave të reja në skenën politike, ndonëse ngritja e tyre nuk është edhe aq e lehtë. Mirëpo, sipas tij, për fat të keq, një parti e tillë në Kosovë është vështirë për t'u krijuar, duke e ditur që ne si njerëz jemi lakmitarë dhe mundohemi që veten ta pasurojmë duke u mbështetur tek mafio-oligarkët për t'i synuar qëllimet e tyre. Në Kosovë duhet të futet një parti që është e drejtë, pa korrupsion, që është kundër çdo politikani dhe biznesmeni të inkriminuar, kundër çdo haraçi etj., sepse Kosovës i duhet një parti e tillë, e cila di çka i duhet qytetarit dhe që nuk mendon për vete.

 GURAZIU: TË GJITHA PARTITË POLITIKE NË KOSOVË, PA ASNJË DALLIM, PËR SHEFA I KANË VËLLEZËRIT E KORPORATËS SË TEJINKRIMINUAR "DEVOLLI"

Shpëtimin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës nga alternativat e reja politike e sheh zgjidhje të vetme edhe analisti Ragip Guraziu. "Patatja e nxehtë në duart e votuesve që më duket se edhe këtë të diel të kemi dalje të ulët të qytetarëve në balotazh, si pasojë e kulmit të zhgënjimit të qytetarëve në këto parti politike, mirëpo po bëhet e domosdoshme tani më shumë se kurrë dalja në skenën politike të vendit e alternativave të reja me figura të pakorruptuara dhe të pakonsumuara", u shpreh ai. Sipas tij, këto struktura politike të të gjitha partive në Kosovë nuk do të sjellin asgjë të re këtë të diel për qytetarët kosovarë, por ata që do të përfitojnë do të jenë vetë politikanët dhe mafio-oligarkët e nëntokës, që realisht po e sundojnë këtë popull dhe këtë shtet, ku edhe populli po e sheh se të gjitha partitë politike në Kosovë, pa asnjë dallim, për shefa i kanë vëllezërit e korporatës së tejinkriminuar 'DEVOLLI'. Në Kosovë është e katandisur e tërë skena politike, në këtë gjendje alarmante kriminale, e kur emëruesi i përbashkët është financimi i hapur dhe i fshehur nga majat e krimit të organizuar në vend, që i bie nga vëllezërit e tejinkriminuar Devolli dhe jo vetëm, ndërsa po i prin haptas kësaj "valle" të krimit të organizuar me vëllezërit e inkriminuar Devolli edhe në këto zgjedhje komunale pikërisht kreu i Komunës së Prishtinës nga VV-ja, Shpend Ahmeti.", theksoi Guraziu për "Kosova Sot".

BADALLAJ: U KA DALË BOJA KËTYRE MATRAPAZËVE DHE MASHTRUESVE QË PO KËRKOJNË VOTËN NËPËR JAHTET LUKSOZE TË BANDËS SERBIANE DEVOLLI

Ndërsa analisti Reshat Badallaj thekson se ndëshkimi ndodh edhe me mosdalje në zgjedhje. Ai shprehet se pikërisht të dielën do shihet një dalje shumë e vogël, në shenjë përbuzje ndaj këtyre bandave politike. "I kanë vërejtur po ashtu edhe mashtrimet e tyre se pasi qytetarët kanë dhënë votën e tyre janë tradhtuar keq, sepse vota e tyre nuk ka vendosur gjë. Pra, bandat kanë vendosur sipas qejfit dhe interesave të tyre që kanë ndarë pazaret. Këto banda vetëm kanë humbur kohë dhe kanë bërë shpenzime të panevojshme në kurriz të popullit dhe taksapaguesve që rëndojnë buxhetin e Kosovës dhe shpinën e qytetarëve", theksoi ai."Edhe një gjë është shumë interesante se populli është vetëdijesuar se u ka dalë boja këtyre matrapazëve dhe mashtruesve të vjetër në skenën politike dhe i kanë parë dhe po i njohin se kush kanë vrapuar pas hajnisë si zagaret pas kockave, që deri dje ishin fukarenj të këputur dhe mu këta banditë që po kërkojnë votën u bënë të kamur me hajni duke bërë sallamadi dhe dyzen ahengje nëpër jahtet luksoze disa milionëshe të bandës serbiane Devolli, qe është shkatërruesja më e madhe e shtetit", tha Badallaj për 'Kosova Sot'.

Image

 

 MEHMETI: NËNTOKA PO E ZHVAT VENDIN, KOSOVËN, E CILA PO LËNGON NGA KJO KLASË POLITIKE E PAPËRGJEGJSHME DHE KREJT HIPOKRITE

 Analisti Faton Mehmeti thotë se derisa Kosova është peng i kësaj klase politike, e cila ka degraduar tash e 18 vite me radhë, për ta ndryshuar këtë gjendje duhet një klasë e re politike me njerëz të rinj."Derisa është kjo klase politike nuk besoj se edhe qytetarët do të dalin në zgjedhje. Njëjtë do të jetë edhe në balotazh, ku pritet që këtë të diel mos të ketë numër të madh të atyre që do të dalin të votojnë. Klanet e Devollëve janë financues të këtyre partive, nga të cilat marrin milionat pa asnjë meritë. Nëntoka po zhvat vendin, Kosovën, e cila po lëngon nga kjo klasë politike e papërgjegjshme dhe krejt hipokrite. Pa ardhur një mendësi e re e cila ndryshon komplet qasjen,dhe udhëheqjen nuk mund të pritet diçka pozitive për vendin. Andaj, balotazhi i së dielës do prodhoj figura të njëjta me dalje të ulet, kryesisht të militanteve të partive, ndërsa qytetaria do të abstenojë si rezultat i mungesës së alternativave", theksoi Faton Mehmeti.

(Kosova Sot)