Edhe EULEX-i iu nënshtrua korrupsionit

  • 18 November 2017 - 07:43
Edhe EULEX-i iu nënshtrua korrupsionit

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u bë sërish protagonist i akuzave për korrupsion, pas dorëheqjes së shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons. Simmons ka akuzuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë se nuk e ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me "ruajtjen e stabilitetit" në Kosovë, si një shtet ende i brishtë. Dorëheqja e Malcom Simmons- it paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. A po tregon kështu kompromentimi i EULEX-it pas rastit më të ri të gjyqtarit Malcolm Simons se drejtësia në Kosovë është e politizuar skajshmërisht, derisa edhe reagimi i EULEX-it se është duke e hetuar gjyqtarin, flet për një sistem të brishte, i cili nuk ka mundur të ndajë drejtësi si duhet, prandaj ia nxjerrin të palarat njëri-tjetrit? A u blenë edhe gjyqtarët e EULEX-it nga mafio-oligarkët e nëntokës dhe politika? Pse EULEX- i nuk arriti të përmbushë pritjet e qytetarëve për një luftë të vërtetë kundër "peshqve të mëdhenj" të korrupsionit dhe krimit të organizuar? EULEX në një përgjigje për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero tolerancës ndaj pretendimeve për sjellje të papërshtatshme dhe të gjithë pjesë- tarët e misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre. EULEX-i tutje thotë se të gjitha pretendimet hetohen dhe, sipas nevojës, i përcillen Bordit Disiplinor dhe kjo politikë aplikohet pavarësisht pozitës në mision; gjithashtu ndaj kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it. "Këto çështje janë ose kanë qenë duke u hetuar nga një gjyqtar i pavarur në përputhje me Kodin e Sjelljes të miratuar nga Këshilli në vitin 2016. Gjetjet i janë dorëzuar Bordit disiplinor të kryesuar gjithashtu nga një gjyqtar. Procedurat e parapara në këtë kod janë ndjekur me përpikërinë e plotë. Ne nuk i komentojmë pretendimet e ngritura në kuadër të hetimeve që janë në vijim e sipër. Fatkeqësisht, deri më sot, z. Simmons ka refuzuar që të bashkëpunojë për këto hetime", thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Dobësi të shumëfishta të misionit

Në anën tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se misioni i EULEX-it jo vetëm që nuk ishte i thuktë sa duhet, jo vetëm që nuk bëri reformë dhe nuk bëri ndikim pozitiv në avancimin e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë, por është dëshmuar fatkeqësisht si një mision i pasuksesshëm sa duhet dhe një mision të paorganizuar, madje edhe i korruptuar, siç janë rastet e caktuara të znj, Bamieh, pastaj të rastit të fundit të kryegjyqtarit Simmons, i cili haptazi del dhe tregon të vërtetën se ky mision në fakt është mision politik dhe jo gjyqësor."Bashkimi Evropian e ka pasur parasysh si duket rrjedhat dhe angazhimin e këtij misioni dhe e ka formuar një komision, i cili do duhej t'i merrte në hetime të dyshuarit, të cilët pengojnë të tjerët duke mos qenë në nivel", u shpreh ai. Sipas tij, sigurisht se në mesin e tyre ka pasur edhe gjyqtarë dhe prokurorë të ndërgjegjshëm dhe jashtëzakonisht profesionalë dhe në nivel, por edhe të tillët kanë qenë të penguar si duket nga të tjerët, të cilët në forma të ndryshme me segmentet institucionale vendore apo ndërkombëtare kanë bashkëpunuar për të mos bërë punë të mira për Kosovën, por përkundrazi për ta dëmtuar edhe drejtësinë, edhe gjyqësinë, edhe autoritetin dhe reputacionin, prestigjin e shtetit të Kosovës përmes veprimeve të pandershme dhe korruptive. Analisti Naim Kelmendi ka konsideruar se kokat e krimit politik e ekonomik në Kosovë ende vazhdojnë të jenë të paprekshme nga ligji dhe drejtësia, derisa siç tha as kjo vendore e as EULEX-i ende nuk ka arritur që deri më sot t'i kapë të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj'. Kjo, sipas tij, tregon se edhe këtë institucion evropian për sundim të ligjit në Kosovë kanë arritur që ta sfidojnë krimi dhe kriminelët edhe të atij politikë, por edhe ata ekonomikë. "Mbase edhe afera e dorëheqjes së gjyqtarit të EULEXit, Malkolm Simmons, se EULEX-i është komprometuar duke qenë kështu e politizuar edhe ndarja e drejtësisë çka nuk është në misionin dhe funksionin e EULEX-it dhe s'do të duhej të jetë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Image

Ryshfetet komprometuan edhe ndërkombëtarët

Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, thotë shkurt se është e vërtetë se edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë qenë në nivelin e duhur, por ky nuk është problemi."Problemi është te institucionet e Kosovës, pse gjyqësori vendor nuk vepron, pse ky politizim, pse kjo papërgjegjësi. Reformë e thellë duhet tek ne, ndërkombëtarët le t'i rregullojnë çështjet e tyre, nuk janë duke e shpenzuar buxhetin tonë, problem mbeten këta që zotohen për punë, shpenzojnë para dhe jo vetëm se nuk punojnë, por punojnë mbrapsht", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni. Ndërsa, analisti Naim Miftari ka vlerësuar se dështimi i UNMIK- ut u përcoll me shpresë se pas ardhjes së EULEX- it evropian gjërat do shkonin duke u përmirësuar dhe gjykatat e EULEXit do bënin rend dhe ligj."Të gjithë ne jemi dëshmitarë se edhe EULEXi u komprometua, vlen të përmenden akuzat e prokurores Maria Bamieh, e cila akuzonte gjyqtarin Francesko Florin se ka qenë i korruptuar dhe se rasti i sulmit me eksploziv në bulevardin 'Bill Kllinton' ku aktorë ishin policë të forcave speciale ROSU, ishin raste të komprometuara dhe ishin korruptuar gjyqtarët e zyrtarët e EULEX- it, ku përmendeshin edhe qindramijëra euro ryshfet për t'i liruar njerëzit e pasur apo të lidhur me politikanë të fuqishëm", pohoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Image

Gjyqtari Simmons vlerësohet si i pavarur

 Avokati Skënder Musa ka nënvizuar se në radhë të parë drejtësia ndërkombëtare jo vetëm e EULEXit, por edhe ajo në kohën e UNMIKut, ka ndikuar negativisht në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se nuk ka pasur një prurje të re apo një praktikë perëndimore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it që është dashur të zhvillohet në Kosovë. Sipas tij, nuk është e vërtetë se këta kanë ndarë drejtësinë apo kanë qenë imunë ndaj korrupsionit, ngase, siç tha, nëse i marrim dhe i analizojmë të gjitha rastet që i ka pasur EULEX-i nuk bëhet fjalë fare për 'peshq të mëdhenj', por bëhet fjalë për vepra të zakonshme penale."Për këtë arsye konsideroj se Republika e Kosovës duhet t'i ngritë kapacitetet e veta, sepse asnjë zyrtar, pavarësisht i çfarë shteti vjen, shteteve të BE-së, Amerikës, apo vendeve të tjera të shteteve mike, nuk do të punojë më mirë se qytetarët e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye është shumë e rëndë- sishme që gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës të forcohen dhe të pavarësohen, sepse vetëm njerëzit e Kosovës mund ta luftojnë krimin dhe mund t'i luftojnë të gjitha veprat dhe dukuritë negative në Kosovë. Me përgjegjësi të plotë e them se shumë më profesionalë janë treguar gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës sesa ata të EULEX-it, në të gjitha rastet, edhe kur kanë pasur raste të krimit të organizuar dhe 'peshqve të mëdhenj', siç po quhet tash Prokuroria Speciale, Gjykata Themelore për krime të rënda gjithmonë kanë qenë më profesionale dhe i kanë trajtuar në mënyrë më të paanshme rastet", theksoi ai."Nëse e marrim drejtësinë e Kosovës që nga përfundimi i luftës, rastet e UNMIK- ut kanë qenë me të vërtetë raste skandaloze dhe me plot afera korruptive dhe të njëjtin avaz ka vazhduar edhe EULEX-i. Përndryshe konsideroj se Malkolm Simmons ka qenë njëri prej gjyqtarëve më të mirë të EULEX-it dhe më të pandikuarit politikisht, kështu që jemi mësuar me këtë modën e përgjigjeve të BE-së dhe zyrtarëve të EULEX-it që zakonisht kur t'i akuzojë dikush ata dalin dhe thonë se kanë qenë në procedurë penale, mirëpo nuk janë në gjendje të tregojnë datën se prej kur ka filluar procedura penale, deri ku kanë shkuar hetimet dhe cili zyrtar është marrë dhe zakonisht thonë një gjyqtar i pavarur", potencoi për gazetën "Kosova Sot" avokati Skënder Musa.

(Kosova Sot)