Me Thaçin kryenegociator, dialogu na zhyt më thellë

  • 18 November 2017 - 07:50
Me Thaçin kryenegociator, dialogu na zhyt më thellë

Në pritje të vazhdimit të formatit të ri të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në nivel presidentësh, përfaqësuesit e partive politike dhe analistët insistojnë në hartimin e një platforme të re nacionale për këto bisedime, për marrjen e mandatit të ri edhe nga Kuvendi i Kosovës. Insistohet që në këtë seri të re të bisedimeve të futet në rend dite edhe kompensimi i dëmeve miliardësh që Serbia ua bëri shqiptarëve të Kosovës, duke ua djegur shtëpitë dhe bizneset, duke i dëbuar nga vatrat e tyre, duke i plaçkitur, vrarë e masakruar, sepse pa e vënë drejtësinë në vend, nuk do të ketë kurrë qetësi dhe normalizim raportesh mes Serbisë dhe Kosovës. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shumica e marrëveshjeve të nënshkruara nuk po zbatohen kryesisht nga pala serbe. "Tani në këtë dialog duhet të përfshihen të gjitha çështjet e pazgjidhura deri më tani, edhe çështja e të pagjeturve dhe e dëmeve të luftës, sepse nuk mund dhe nuk duhet t'i ikim një realiteti të hidhur, i cili ka ndodhur në të kaluarën e afërt", tha ajo. Mandat të qartë dhe me konsensus politik, për vazhdimin e negociatave- bisedimeve të reja kërkon edhe anëtari tjetër i të njëjtit Komision Zafir Berisha, por i cili mendon se këtij dialogu nuk do të duhej t'i printe më tutje Hashim Thaçi. "Dihet që presidenti është njeri i papërgjegjshëm, ai bisedimet me Serbinë i pati filluar pa u konsultuar si duhet dhe pa e pasur konsensusin politik në Kuvend, kështu që çdo përpjeke që bëhet, që Hashim Thaçi ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime, është vetëm një fundosje edhe më e thellë e perspektivës së shtetit të Kosovës drejt integrimeve", theksoi Berisha.

Image

Bisedimet në favorin e Serbisë

Rishikim të plotë të këtij dialogu në vijim, dhe autorizim të ri nga Kuvendi, kërkojnë edhe analistët politikë. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Jeton Kelmendi konsideron se takimet e deritanishme në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë prodhuar rezultate, por rezultatet kanë shkuar kryesisht në favor të Serbisë. "Takimet në mes të personazheve të fuqishme të politikës që janë bërë, janë bërë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, dhe tani një taktikë apo lojë është zhvilluar nga të dy presidentët, sepse sikur në Serbi që kryeministri është bërë president, edhe në Kosovë Hashim Thaçi, nga ish- kryeministri ka arritur të bëhet president", tha Kelmendi. Mirëpo, ai thotë se për dallim që në mandatin e kryeministrit ,Thaçi kishte më shumë autoritet dhe mbështetje politike për ta vazhduar dialogun, tani si president që vjen nga një parti e ranguar e treta pas zgjedhjeve, fuqia mbështetëse e tij ka rënë politikisht, andaj edhe mund t'i kontestohet përfaqësimi i shtetit në vazhdimin e bisedimeve. Ai potencon se pala kosovare nuk duhet të frikësohet nga hapja e temave të mëdha, sikur është ajo ë dëmeve të luftës. Ndërsa analisti politik Florim Zeqa konsideron se mandati i ri dhe përcaktimi i temave të reja, që janë në favor të shtetit të Kosovës, nuk duhet lënë anash, në çfarëdo formati të rifillojnë këto bisedime të autorizuara nga Kuvendi i Kosovës. "Për gjashtë vjet dialogu Serbi-Kosovë në Bruksel, pala kosovare nuk ia arriti të shtrojë në tavolinën e bisedimeve asnjërën nga çështjet vitale të shtetit dhe qytetarëve të saj. Asnjë qeveri e Kosovës deri më sot nuk e kërkoi kompensimin e dëmeve miliardëshe të luftës, që shteti serb ua bëri shqiptarëve të Kosovës, filluar nga djegia e shtëpive, bizneseve e deri të dëbimi nga vatrat e tyre, duke i plaçkitur, duke i vrarë dhe duke i masakruar. Madje, asnjëherë në dialogun e Brukselit nuk u ngrit çështja e të zhdukurve, si dhe as dhunimi i rreth 20 mijë motrave e nënave tona!", u shpreh ai.

Image

Kosova doli e dëmtuar

 Analisti Hidajet Ahmeti tha se dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje e mbrapshtë, duke fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtar e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë. "Gjashtë vjet bisedime, jo që u integruan serbët në institucionet e Republikës së Kosovës, por u fuqizua shteti serb brenda Kosovës. Shumë marrëveshje të arritura në mes palëve nuk u zbatuan asnjëherë, edhe ndërmjetësja në mes palëve, BE-ja heshti, bile duke insistuar që dialogu të vazhdojë. Shumë herë u maltretuan ish- luftëtarët e UÇK-së, u fyen institucionet e Republikës së Kosovës, u provokua përmes ndërtimit të murit dhe tendencën për futjen e trenit provokues, por institucionet e Republikës së Kosovës prapë vazhduan me logjikën e njëjtë karshi dialogut. Me këta njerëz dialogu do ta afrojë Serbinë drejt BE-së dhe mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtarë dhe do ta dëmtojë Republikën e Kosovës në substancë.", është shprehur ai. Edhe analisti Blerim Burjani thotë se në bisedimet e deritanishme përfituese ka qenë kryesisht shteti serb, ndërsa Kosovës një dëm të veçantë ia ka shkaktuar edhe fusnota. "Ishte një dialog i Hashim Thaçit dhe asistentes së tij Edita Tahiri. Të dy këta kishin dialoguar pa transparencë", vlerëson Burjani. Kurse politologu Arsim Haziri ka pohuar se derisa Kosovës nuk iu kompensohen dëmet shumëdimensionale të luftës, çdo iniciativë për avancim të raporteve bilaterale është e dështuar. "Emëruesi i përbashkët i gjithë kësaj është paaftësia e liderëve kosovarë që procesin e negociatave nuk e kushtëzojnë me disiplinimin dhe kualifikimin e Serbisë, si shtet që duhet t'i kompensojë të gjitha dëmet, të cilat i kanë shkaktuar në periudhën e viteve 90", theksoi Haziri. Dialogu pritet të vazhdojë pas zgjedhjeve, ndërsa Qeveria kosovare ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në proces.

(Kosova Sot)