Buxheti i Maqedonisë, më shumë mjete për investime dhe rritje të pagave

  • 18 November 2017 - 14:23
Buxheti i Maqedonisë, më shumë mjete për investime dhe rritje të pagave

Buxheti shtetëror i Maqedonisë për vitin 2018 do të jetë 3,4 miliardë euro dhe janë paraparë mjete për investime kapitale, pagesë të pandërprerë të pagave, pensioneve, trasnfere dociale dhe përkrahje të kompanive vendase.

Nga Qeveria premtojnë menaxhim efikas dhe të kujdesshëm me zvogëlim të dukshëm të harxhimeve joproduktive. Ky, thonë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski është buxhet për stabilizim financiar, me të cilin është zvogëluar deficiti në 2,7 për qind, nga 2,9 për qind të projektuara në fillim. Financimi do të bëhet me huamarje të brendshme dhe të jashtme, ndërsa me qëllim të mbajtjes sa më të ulët të huamarjes, rritet akciza e naftës për tre denarë nga 1 janari i vitit 2018.

Të hyrat për vitin e ardhshëm janë për 4,7 për qind më të larta në krahasim me këtë vit.

Nga tatimet planifikohet të mblidhen 114.979 milionë denarë, që është për 7,5 për qind më shumë nga ky vit. Nga kontributet priten 55.403 milionë denarë, gjegjësisht pesë për qind më shumë nga ky vit. Kjo rritje bazohet në lëvizjen e pritur ekonomike, rritjen e punësimeve dhe pagave të punonjësve.

Shteti më së shumti, gjegjësisht 32 për qind parasheh për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, 19 për qind për zhvillim ekonomik dhe çështje financiare, 14 për qind për shëndetësi, 11 për qind për arsim, shkencë dhe sport, nga pesë për qind për ndërtimtari, transport, komunikime, ekologji dhe rend publik, tre për qind për mbrojtje, nga dy për qind për punë të jashtme dhe integrimet evropiane dhe kulturë dhe nga 1 për qind nga buxheti janë paraparë për gjyqësinë dhe zhvillimin rajonal.

 (Kosova Sot)