Ja kur do të betohen kryetarët dhe asamblistët e rinj të komunave

  • 18 November 2017 - 20:36
Ja kur do të betohen kryetarët dhe asamblistët e rinj të komunave

Para dhjetë ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kuvendet komunale, që u mbajtën më 22 tetor.

Mirëpo, asamblistët e certifikuar nga KQZ nuk do të mund të nisin zyrtarisht punën derisa të përfundoj edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për 19 komunat që nesër votojnë për kandidatët që shkuan në balotazh.

Kështu thonë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas së cilës fillimi i punës së Kuvendeve komunale do të nis rreth pas një muaji.

MAPL në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se bazuar në nenin 57 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale me rastin e zgjedhjes, Kryetari i Komunës jep betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, e nga momenti i dhënies së betimit Kryetari i sapozgjedhur ushtron të gjitha funksionet dhe kompetencat sipas ligjit.

Sipas saj, mbledhjet inauguruese të kuvendeve të komunave mbahen brenda 15 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për anëtarët e kuvendeve të komunave.

“Andaj, duhet të pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për anëtarët e kuvendeve të komunave në mënyrë që të krijohen kushtet ligjore për dhënin e betimit të Kryetarit dhe anëtarëve të kuvendeve të komunave, pastaj fillon ushtrimi i funksioneve dhe kompetencave të përcaktuar sipas ligjit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas kësaj përllogaritje i bie që asamblistët duhet të presin derisa KQZ të certifikoj rezultatet për kandidatët që do të fitojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, periudhë kjo e cila përfshirë rinumërimin e kutive dhe shqyrtimin e ankesave, mund të jetë një muaj.

(Kosova Sot)