"Ku është Saimir Tahiri?" Reagon prokuroria: Pse nuk i ndaluam lëvizjen jashtë shtetit

  • 18 November 2017 - 22:21

Të premten, Top Channel njoftoi për daljen jashtë vendit të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Për këtë, avokati i tij tha se nuk kishte dijeni. Por avokati shtoi se, zoti Tahiri ishte një njeri i lirë dhe nuk kishte asnjë ndalim për të udhëtuar brenda dhe jashtë shtetit.

Pikërisht kjo është çështja. Kur prokurorët u paraqitën më 20 tetor në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të kërkuar autorizmin për arrestimin e deputetit Tahiri, prokurorët e justifikuan kërkesën për arrestim me frikën se mos Saimir Tahiri prishte provat apo largohej nga vendi.

“Në kushtet e parashikimeve ligjore të nenit 228 dhe 229 të Kodit të Procedurës Penale, a ekziston në rastin konkret rreziku i ikjes? Themi që në rastin konkret ekziston rreziku i ikjes për shkak të faktit të shmangies nga procedimi penal, në mënyrë që të mos përballet me organet e ushtrimit të ndjekjes penale”, deklaronte asokohe Elisabeta Imeri, prokurore e Krimeve të Rënda.

Një ditë më vonë, mazhoranca në Këshill refuzoi kërkesën për arrestim. Dy ditë më vonë, Saimir Tahiri u përjashtua nga grupi parlamentar dhe Edi Rama tha se grupi refuzoi në unanimitet arrestimin e deputetit për mungesë provash.

“Për t’i dhënë prokurorëve të gjitha mundësitë e nevojshme për kryerjen e një hetimi serioz, të thellë dhe shterues, përfaqësia jonë në raportin e vet ka nënvizuar pranimin e kërkesës së Prokurorisë për: 1) dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, 2) detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, 3) ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar, 4) garancinë pasurore, 5) kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Saimir Tahiri”, deklaronte kryeministri Rama.

Mazhoranca i qëndroi vendimit të saj politik. Ajo që u votua në seancën e 25 tetorit është ky vendim. Kur Prokuroria u paraqit në gjykatë me këtë vendim, kërkoi vetëm kontroll personal dhe banese, por jo ndalimin për të udhëtuar jashtë shtetit. Pra prokurorët e Krimeve të Rënda, që i ndruheshin largimit të zotit Tahiri, nuk i kërkuan gjykatës t’i bllokojë pasaportën. Pse? Çfarë ndryshoi që zoti Tahiri, tashmë në liri, nuk do të prishte provat, siç u shprehën prokurorët? Top Channel mori zyrtarisht këtë përgjigje të shtunën:

“Parlamentit iu kërkua autorizimi për ‘heqjen e lirisë, arrestin dhe kontrollin personal e të banesës’. Kërkesa u bazua në dispozitat përkatëse kushtetuese, neni 73, pika 2 e Kushtetutës, ku përcaktohet se Kuvendi mund të autorizojë vetëm ato masa që ishin edhe në objektin e kërkesës, pra ‘heqje lirie’, ‘arrest’ dhe ‘kontroll personal e banese’. Për masat e tjera vendos vetëm gjykata. Për sa kohë që kërkesa për autorizimin e arrestit nuk u pranua, çdo masë tjetër ndaj personit nën hetim u vlerësua e papërshtatshme. Në gjykatë u kërkua vetëm kontrolli i banesës, për të cilën kishte dhënë autorizimin Parlamenti”.

Pra, sipas kësaj përgjigjeje të Prokurorisë, prokurorët kërkuan ose maksimumin, “arrest me burg”, për shkak se deputeti mund të prishte provat apo të largohej nga vendi, ose vetëm “kontroll banese”, por në gjendje të lirë.

I lirë dhe me pasaportë në xhep, Saimir Tahiri mund të udhëtonte pa asnjë shqetësim, brenda dhe jashtë vendit, në Gjermani apo në çdo vend tjetër të hapësirës “Schengen”. Ndaj, me të drejtë publiku pyet sot: Ku është Saimir Tahiri?

(Kosova Sot)