Prokurori i shtetit në mbrojtje të votës

  • 19 November 2017 - 09:12
Prokurori i shtetit në mbrojtje të votës

Prokurori i Shtetit, ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që është duke u mbajtur sot, në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës.

Në bazë të kompetencave ligjore, Prokurori thekson se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ka caktuar një koordinator në nivel të shtetit dhe një zëvendës koordinator, si dhe shtatë koordinatorë për rajonet e Kosovës.

“Prokurori i Shtetit, që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës, ka angazhuar 55 prokurorë, të cilët do të përcjellin për së afërmi situatën gjatë procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë aty ku do të paraqiten pengesat në procesin zgjedhor”.

“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile të Republikës së Kosovës, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria”, bëhet e ditur në një kumtesë.

 (Kosova Sot)